Dubai pezullon aktivitetet argëtuese në restorante dhe hotele, pas rritjes se rasteve me COVID-19

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Dubai është i njohur në Shqipëri si destinacion që ofrohet nga shumë agjenci turistike dhe është promovuar gjerësisht në reklama. Më i njohur, Dubai u bë ditët e fundit, pas skandalit të darkës së ministrave tek restoranti Nusr’Et. Nuk dihet nëse preket apo jo ky restorant, por një urdhër, nga dita e sotme, mbyll lokalet me muzikë live në Dubai.

Dubai ka pezulluar lejet e lokaleve të argëtimit, për hotelet dhe restorantet, mes një rritje të rasteve COVID-19, sipas një qarkoreje zyrtare të lëshuar nga Departamenti i Turizmit për Dubain, njoftoi agjencia Al Arabiya.

“Departamenti vëzhgoi, përmes inspektimit në terren, një rritje të numrit të shkeljeve gjatë aktiviteteve argëtuese në hotele dhe restorante. Prandaj, Departamenti urdhëron të gjithë të interesuarit në institucionet hoteliere dhe restorantet që të pezullojnë përkohësisht aktivitetet argëtuese që nga e enjtja, 21 janar 2021 deri në një njoftim tjetër”, theksohet në njoftimin drejtuar pronarëve dhe menaxherëve të hoteleve dhe restoranteve.

Autoritetet, gjithashtu kanë lëshuar gjoba për më shumë se 200 shkelje dhe kanë mbyllur 20 biznese për “mosrespektim të udhëzimeve anti-Covid”, sipas Dubai Media Office.

Situata do të rivlerësohet nga autoritetet shëndetësore dhe ndryshimet do të njoftohen, në përputhje me rrethanat.

Autoritetet shëndetësore të Dubait lëshuan më parë një njoftim për të pezulluar operacionet jo-të rëndësishme për një muaj, por kufizimi mund të zgjatet për një periudhë më të pacaktuar.

Numri ditor i infeksioneve nga koronavisuri në Emiratet e Bashkuara Arabe, që përfshin Dubain, kapërceu pragun e 3 000 në 12 Janar dhe ka vazhduar të rritet, duke arritur 3 506 të mërkurën.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hequr shumicën e kufizimeve të koronavirusit, por mbajtja e maskave në distancën publike dhe shoqërore kërkohet ende.

Britania këtë muaj i hoqi Emiratet e Bashkuara Arabe nga lista e korridoreve të saj të udhëtimit për shkak të rritjes së infeksioneve.

Shteti i Gjirit ka nisur fushatën e tij të imunizimit me synimin për të vaksinuar më shumë se 50 përqind të afërsisht 9 milionë banorëve të tij.

Emiratet kanë aprovuar vaksinën e zhvilluar nga kompania kineze “Sinopharm’s China” dhe e ka bërë atë të disponueshme për publikun e gjerë. Ndërkohë, Dubai po u jep njerëzve vaksinën e prodhuar nga Pfizer dhe BioNTec. /Gazetareforma.com/

 

 

 

Shpërndaje
Share.

Komento