Dua Lipa vendos flamingot në hyrje të “Sunny Hill”, simboli i protestës kundër qeverisë Rama

Festivali ndërkombëtar “Sunny Hill” ka rikthyer sonte atmosferën e tij në Prishtinë, ku nga 31 korriku deri më 2 gusht mijëra pjesëmarrës po ndjekin performancat e disa prej artistëve më të njohur në botë, nën organizimin e Dua Lipës dhe ekipit të saj.
Përtej muzikës, një detaj ka tërhequr vëmendjen në hyrje të festivalit: instalimi i flamingove, simboli që u bë i njohur gjatë protestave të qytetarëve shqiptarë kundër ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.

Protestat nisën në Zvërnec dhe më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë qytetare për mbrojtjen e mjedisit dhe çdo pakënaqësi ndaj qeverisjes, duke kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit.
Vendosja e flamingove në hyrje të “Sunny Hill” shihet si një referencë e drejtpërdrejtë ndaj kësaj kauze. Më herët, Dua Lipa kishte shprehur publikisht mbështetjen e saj për protestat gjatë një bisede në podkastin e shkrimtares Lea Ypi, deklaratë që mori jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Prania e këtij simboli në festival interpretohet si një tjetër shenjë solidarizimi me protestën kombëtare.
Në edicionin e këtij viti të “Sunny Hill” do të ngjiten në skenë emra të njohur të muzikës botërore si Katy Perry, Martin Garrix, Lewis Capaldi, Adam Port, Rampa nga Keinemusik, Seth Troxler, PAWSA dhe Carlita.
I themeluar në vitin 2018 nga Dukagjin Lipa dhe i promovuar ndërkombëtarisht nga Dua Lipa, “Sunny Hill” është shndërruar në një nga festivalet më të mëdha të rajonit, duke mbledhur çdo vit mbi 100 mijë pjesëmarrës nga rreth 60 vende të botës.