Dosja Balluku në gjyq, Bardhi akuzon SPAK: Zgjodhi pazaret politike me Ramën

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas dërgimit në gjykatë të dosjes së Belinda Ballukut, duke akuzuar SPAK se ka zgjedhur marrëveshjet politike me kryeministrin Edi Rama në vend të zbatimit të barabartë të ligjit.
Bardhi kundërshton vendimin e Prokurorisë së Posaçme për të mos paraqitur një kërkesë të re në Kuvend për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të Ballukut, pavarësisht akuzave dhe provave të reja që, sipas tij, janë përfshirë në dosje.
Në reagimin e tij, deputeti demokrat pretendon se Balluku përballet me 15 vepra penale, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave, fshehjen e pasurisë dhe shkeljet në tendera. Ai përmend një dëm të pretenduar prej rreth 60 milionë eurosh nga tenderi i Llogarasë, si dhe dy vila me vlerë 1.8 milionë euro, të cilat i lidh me hetimet për korrupsion.
“Megjithatë, SPAK zgjodhi pazaret politike me Edi Ramën përpara parimit themelor të një shteti demokratik: barazisë para ligjit”, deklaron Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së kundërshton gjithashtu shpjegimin e drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, lidhur me marrjen në konsideratë të arsyetimit të shumicës parlamentare që rrëzoi kërkesën e mëparshme për heqjen e imunitetit të Ballukut.
Sipas Bardhit, një qëndrim i tillë krijon precedent të rrezikshëm për pavarësinë e drejtësisë, pasi vendimmarrja e prokurorisë nuk duhet të kushtëzohet nga vullneti politik i mazhorancës.
“Kushtetuta e përcakton qartë se Kuvendi nuk është prokurori dhe Edi Rama nuk është drejtuesi i SPAK-ut!”, thekson ai.
Bardhi ngre gjithashtu pretendimin për standarde të dyfishta hetimore mes Belinda Ballukut dhe Evis Berberit. Ai kërkon të dijë përse ndaj Ballukut nuk janë zbatuar të njëjtat masa procedurale që, sipas tij, janë përdorur ndaj Berberit, përfshirë kontrollet personale dhe të banesës.
Një tjetër çështje që ai kërkon të sqarohet lidhet me paratë që dyshohet se mund të jenë mbajtur në një nga vilat e Ballukut.
“A është gjetur kutia me tufa eurosh në vilën e pushimit të Belinda Ballukut? Nëse jo, a është kontrolluar banesa e saj për të verifikuar nëse paratë mund të jenë zhvendosur atje?”, pyet Bardhi.
Ai kërkon që SPAK të japë përgjigje publike për veprimet hetimore të kryera dhe të sqarojë nëse janë përdorur të gjitha mjetet ligjore për zbardhjen e çështjes.
Sipas Bardhit, mosparaqitja e një kërkese të dytë në Kuvend ka kufizuar mundësitë për një hetim të plotë, ndërsa trajtimi i ndryshëm i personave të përfshirë në të njëjtën dosje ngre pikëpyetje për barazinë para ligjit.
Në përfundim, kreu i grupit parlamentar demokrat akuzon SPAK se ka cenuar besimin te drejtësia dhe kërkon që hetimi ndaj Ballukut të mos ndikohet nga mbrojtja politike.
“Ligji nuk mund të jetë i rreptë për ata që nuk kanë pushtet dhe i negociueshëm për ata që e ushtrojnë atë”, përfundon Bardhi.