Skip to content
Kryesore

“Do t’ju vras të gjithëve”/ Dëshmia tronditëse e Rozalinda Plakës: I kapa armën Refit Buzit, më goditi me grusht dhe më mori peng pas vrasjes së prindërve

· 4 min lexim

Rozalinda Plaka, 24 vjeçarja që u mor peng nga ish i fejuari i saj Refit Buzi pasi ai vrau prindërit e saj, ka dhënë një dëshmi tronditëse për hetuesit, duke rrëfyer historinë e marrëdhënies së tyre dhe momentet e tmerrit të mëngjesit të 24 korrikut.

Në dëshmi, e reja tregon se lidhja me 35 vjeçarin kishte nisur vite më parë dhe ishte kurorëzuar me fejesë në vitin 2020, por vendosi t’i jepte fund në vitin 2024 për shkak të mënyrës së jetesës së tij dhe problemeve që e shoqëronin.

 “Në vitin 2020 kemi shpallur fejesën dhe kemi krijuar hyrje daljet familjare. Lidhja jonë ka vazhduar deri në vitin 2024, kohë në të cilën unë kam kërkuar të ndahem nga ai, por Refiti nuk ka pranuar. Arsyeja ka qenë sepse ai kishte një jetë të çrregullt, nuk ishte i përqendruar te lidhja jonë, kishte qenë jashtë shtetit në burg dhe të gjitha këto nuk më përshtateshin mua. Këto gjëra i dinin edhe prindërit e mi, të cilët nuk kanë qenë dakord për këtë lidhje që në fillim.”

Duke përshkruar çastet e sulmit në banesën e familjes, Rozalinda tregon se ishte në gjumë kur dëgjoi një zhurmë të fortë, që iu duk si krismë arme. Kur doli në korridor, pa babanë e saj, Kosta Plaka, të shtrirë në gjak, ndërsa Refit Buzi mbante në dorë një armë gjahu.

“Kam qenë duke fjetur gjumë në dhomën time, kurse prindërit e mi kanë qenë në dhomën e tyre. Kam dëgjuar zhurmë të fortë që më është dukur si krismë arme dhe kam dalë në korridor të shikoj se çfarë kishte ndodhur. Kur dola kam parë shtetasin Refit Buzi në korridor, me një armë të gjatë si ato të gjahut në dorë, si dhe kam parë babain tim Kosta Plaka të shtrirë përmbys te hyrja e dhomës, i mbuluar me gjak. Unë i kam kapur armën dhe po e mbaja, por Refiti bërtiste: ‘Do t’ju vras të gjithëve’. Më shtyu dhe më qëlloi me grusht, theu derën e dhomës sime dhe aty jam plagosur me copa xhami në trup.”

Më pas, sipas saj, Buzi e mori me forcë dhe e futi në makinë, ndërsa ajo nuk arrin të kujtojë qartë ato momente për shkak të tronditjes.

 “Më mori me forcë e më hipi te makina. Momenti kur më mori me forcë nga shtëpia deri kur kam hipur në makinë nuk më kujtohet, sepse kam qenë shumë e tronditur.”

Në dëshminë e saj del edhe një detaj nga negociatat që policia zhvilloi me autorin. Rozalinda ka treguar se Refit Buzi ishte zbathur dhe, kur prokurori e pyeti pse ishte pa këpucë, ai u përgjigj:

 “I hoqa, ia dhashë… Ia dhashë asaj t’i veshë, se e mora zbathur.”

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 24 korrikut në Roskovec. Refit Buzi vrau me armë gjahu ish vjehrrin e tij, Kosta Plaka, dhe plagosi rëndë ish vjehrrën, Belere Plaka. Kosta Plaka humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshortja e tij iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati më shumë se pesë orë në Spitalin Rajonal të Fierit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Pas krimit, 35 vjeçari mori peng ish partneren e tij dhe u largua drejt fshatit Cukalat në Berat. Rozalinda u lirua disa orë më vonë gjatë operacionit të policisë, ndërsa negociatat me autorin zgjatën rreth shtatë orë. Në fund, Refit Buzi refuzoi të dorëzohej dhe i dha fund jetës.

Hetuesit pritet ta marrin sërish në pyetje Rozalinda Plakën për të sqaruar rrethanat e ndarjes, si edhe pretendimet e bëra nga Refit Buzi se i kishte dërguar nga Anglia 830 mijë paund për t’ia ruajtur, shumë që sipas tij nuk i ishte kthyer. Sipas të dhënave hetimore, 24 vjeçarja nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë pretendim në dëshminë e saj të parë.