“Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty”, Meta dhe Kryemadhi përplasen ashpër në sallën e gjyqit, ndërhyn gjykata me paralajmërim

Një debat i fortë ka shpërthyer në sallën e gjyqit mes kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, gjatë seancës ku po shqyrtohen çështje që lidhen me hetimet ndaj tyre.
Gjatë fjalës së tij, Meta mohoi çdo ndikim apo ndërhyrje në favor të personave të përmendur në dosje dhe u shpreh se nuk ka pasur asnjë dijeni për veprimet e Kryemadhit.
“Nuk ekziston asnjëlloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. As me Theodhori Çamin, që e ka mbiemrin Çami, po ka therur çamë. Kjo është histori UDB-je, edhe Adrian Shatku duhet të kishte ardhur këtu sapo dëgjoi emrin, se ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Adrian Shatku u largua në 1989, e mori UDB-ja, pastaj iku në Amerikë. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi”, deklaroi Meta.
Deklaratat e tij shkaktuan reagimin e menjëhershëm të Kryemadhit, e cila iu drejtua Metës me tone të ashpra, duke e akuzuar se po përsërit thashetheme dhe duke paralajmëruar se do të bëjë publike mesazhe të tjera.
“Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit? Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?”, tha Kryemadhi.
Për shkak të tensionit të krijuar në sallë, ndërhyri edhe trupa gjykuese, e cila paralajmëroi ish-deputeten për sjelljen e saj gjatë seancës.
“Do ju nxjerr nga salla e gjyqit. Paralajmërojmë të pandehurën Monika Kryemadhi, nëse e përsërisni, do largoheni nga seanca dhe do gjobiteni”, deklaroi gjykata.
Përplasja mes dy ish-bashkëshortëve, që prej kohësh kanë shfaqur qëndrime të ndryshme edhe në publik, solli një nga momentet më të tensionuara të seancës gjyqësore.