Dita e 66-të e protestës/ Aktivisti: “Reforma territoriale zhbën rolin e qytetarit në demokraci”

Protesta kundër qeverisë ka vijuar edhe në ditën e 66-të përpara Kryeministrisë, ku aktivistët mbajtën fjalimet e tyre dhe përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Një prej aktivistëve deklaroi se rezistenca qytetare i ka krijuar “probleme serioze” qeverisë, ndërsa u ndal te reforma e re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e disa bashkive.
“Fakti se protesta ka qenë në shesh dhe njerëzit në bulevard, duket se i ka hapur probleme serioze qeverisë së Edi Ramës. Atë që e kishte menduar si vendim normal dhe pa pasoja, duket se ia ka prishur pushimet këtë verë.”
Sipas tij, reforma synon përqendrimin e pushtetit vendor në gjithnjë e më pak duar.
“Dikur ishin 65 bashki dhe 309 komuna. Me vendim të qeverisë Rama ky pushtet u grumbullua në dorën e 61 personave, ndërsa tani ka vendosur ta grumbullojë në 46 duar. Tani një përfaqësues vendor do të përfaqësojë 50 mijë banorë.”
Aktivisti vuri në dyshim argumentin e qeverisë se reforma synon uljen e kostove dhe të administratës publike.
“Kur kishte 309 komuna e 65 bashki, administrata publike ishte 160 mijë persona, tani është 180 mijë persona. Çfarë ndodhi me to, kur duhej që administrata të tkurrej dhe jo të rritej?”
Ai shtoi se qytetarët vazhdojnë të përballen me taksa të larta dhe mungesë shërbimesh, ndërsa reforma, sipas tij, vetëm sa rrit kontrollin politik.
“Kjo reformë vetëm sa grumbullon pushtet politik te qeveria dhe Rama. Kjo reformë nuk bën asgjë më shumë sesa zhbën rolin e qytetarit në demokraci.”
Në përfundim, ai kërkoi tërheqjen e reformës dhe përsëriti thirrjen e protestuesve:
“Reforma do bëhet, por që ta afrojë qytetarin me bashkinë dhe jo ta largojë. Kjo do të vijë vetëm pasi kryeministri dhe qeveria e tij të jenë dorëhequr. Ndaj kërkojmë nga ky shesh si ditën e parë: Dorëheqje.”