Skip to content
Aktualitet

Dhuratat ideale për fëmijët janë lodrat/ Sa të rrezikshme janë këto për të vegjlit?

· 2 min lexim

Jemi në  prag të festave të fundivitit dhe fëmijët mezi presin të marrin dhurata.  Shpesh prindërit dhe gjyshërit u marrin fëmijëve një dhuratë, në përmbajtje të së cilës ka sasi tepër të lartë kimikatesh.

Rreziku i hapur vijon të jetë ende në tregje, teksa jo të gjithë qytetarët i lexojnë etiketat bashkëshoqëruese të lodrave që blejnë për të gëzuar të vegjlit e tyre. Por si mund ta dallojmë nëse një lodër e blerë në treg për fëmijët është e sigurt apo jo? “Ka barkod sigurie, moshën për fëmijën si dhe markimin me logon “C€””, thotë për A2CNN inspektorja e ISHMT.

Neglizhenca e kësaj procedure që konfirmon mallin e certifikuar, mund të dëmtojë shëndetin e fëmijëve. Deri tani janë bllokuar mbi 3500 lodra të pasigurta, sidomos me origjinë nga Kina. Në vitin 2020 u bllokuan 13 mijë produkte të tilla, teksa në 2019 shifra arriti në mbi 10 mijë lodra.

Puna kryesore e identifikimit dhe e bllokimit të këtyre lodrave i përket doganës, ku në hyrje mund të kthej pas çdo produkt të rrezikshëm, pasi verifikimi një për një i lodrave nga inspektorët e ISHMT, bëhet Akoma më e vështirë për shkak të shpërndarjes së tyre. Ndërkohë vlen të apelohet që lodrat duhet të zgjidhen me kujdes.