Skip to content
Të Gjitha

“Destinacioni”, po trafikonte 12 emigrantë të paligjshëm drejt Kukësit, arrestohet 28-vjeçari

· 2 min lexim

TIRANË

Policia e Tiranës ka arrestuar një 28-vjeçar, pasi u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm.

Uniformat blu të kryeqytetit kanë thënë se kanë finalizuar operacionin e koduar “Destinacioni”, në kuadër të së cilit u sekuestrua një makinë, lëndë narkotike dhe një celular.

Nga policia thuhet se arrestimi i 28-vjeçarit është bërë, pasi ai është kapur nga shërbimet e Policisë tek “Mbikalimi i Rinasit”, duke transportuar në drejtim të Kukësit, 12 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 150 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

I riu u prangos nga forcat policore, ndërsa mbi të rëndojnë akuzat “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Destinacioni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Operacioni nga specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë. Transportonte 12 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 28-vjeçari. Sekuestrohen një sasi lënde narkotike, një automjet dhe 1 celular.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, drejt vendeve të BE-së, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Destinacioni”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: R. B., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi është kapur nga shërbimet e Policisë tek “Mbikalimi i Rinasit”, duke transportuar në drejtim të Kukësit, 12 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 150 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me drejtues shtetasin R. B., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar cannabis sativa.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, lënda narkotike dhe 1 celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.