Skip to content
Të Gjitha

Dështon protesta? Pikëpyetje për vazhdimin e ngujimit!

· 2 min lexim

Duke mos arritur rezultatin që kërkuan, studentët e Universitetit të Tiranës, Durrësit, Shkodrës dhe Elbasanit, u ngujuan në ambjentet e fakulteteve të tyre, si shenjë revolte kundër qeverisë Rama.

Prej 7 netësh, ata kanë bllokuar auditoret duke penguar mësimdhënien edhe për studentët që nuk marrin pjesë në protestë. Kjo duket se ka ngritur një pikëpyetje të madhe për vijueshmërinë e ngujimit.

Studentët kanë marrë përsipër vetë të vërtetojnë nëse janë një pakicë që po pengon shumicën apo e anasjella. Të rinj të fakulteteve të ndryshme kanë ndarë mes tyre sondazhe mbi vijueshmërinë e protestës.

Deri tani, vetëm Ekonomiku e ka marrë vendimin e tij, ndërsa të tjerë pritet të votojnë gjatë ditës së sotme.

Por, një tjetër sondazh, i zhvilluar paralelisht me të parin, por nga ana e vetë fakultetit me pyetjen “Ku do të donit të ishit tani: duke bërë mësim apo duke protestuar?” (në të cilin mund të votojë lehtësisht kushdo, edhe pa qenë pjesë e FEUT) e hedh poshtë të parin. 46% janë për mësim, ndërsa 54% për protestë.

Ndërkohë sot voton Politekniku. Me një procedurë transparente, me një listë emrash të marra nga sekretaritë nga ora 8:00 deri në 18:00, të rinjtë do të shprehin vullnetin e tyre, rezultati i të cilit do i paraqitet Rektorit dhe cilido qoftë ai, është premtuar të marrë mbështetje.