Skip to content
Kryesore

Deputeti i PS-së kundër Ramës për shkrirjen e Selenicës: Prodhon 35 mijë ton naftë në vit, bashkia merr vetëm 0.5% të vlerës

· 2 min lexim

Pas kryebashkiakëve socialistë, kundër Reformës Territoriale ka dalë edhe deputeti i parë i mazhorancës. Deputeti i PS-së për Vlorën, Vullnet Sinaj, kundërshton shkrirjen e Bashkisë së Selenicës, duke argumentuar se ajo i plotëson kriteret për të mbetur njësi më vete dhe se problemi nuk është numri i bashkive, por mungesa e financimit nga qeveria.

Sinaj kritikon Komisionin e Reformës Territoriale, i cili e ka cilësuar Selenicën me tregues ekonomikë të ulët bazuar te numri i bizneseve. Sipas tij, janë anashkaluar dy pasuritë më të rëndësishme të zonës, Miniera e Selenicës dhe fusha naftëmbajtëse e Gorrishtit.

“Komisioni ka harruar se Selenica ka brenda territorit të saj dy nga pasuritë minerare më të rëndësishme të vendit. A ka dijeni sa rentë minerare përfiton shteti nga prodhimi i rreth 35 mijë tonëve naftë bruto në vit nga Gorrishti?”, shprehet deputeti.

Ai thekson se bashkitë që kanë pasuri natyrore përfitojnë shumë pak nga renta minerare. “U kthehet vetëm 5% e rentës minerare, që në praktikë përkthehet në vetëm 0.5% të vlerës së prodhimit”, thotë Sinaj.

Sipas deputetit socialist, zgjidhja nuk është shkrirja e bashkive, por rritja e transfertave nga buxheti i shtetit. Ai argumenton se rreth 90% e buxhetit administrohet nga qeveria qendrore, ndërsa vetëm 10% u ndahet 61 bashkive, çka sipas tij i lë ato pa mundësi të mjaftueshme financimi dhe investimi.

Banorët e Selenicës prej disa ditësh po protestojnë kundër planit për bashkimin e bashkisë së tyre me Vlorën, duke kërkuar që qeveria të rishqyrtojë vendimin.