Deputetët i kushtojnë 541 mijë euro buxhetit në një muaj/ Kush janë “ligjvënësit e luksit”

Ndërsa debati për punën dhe performancën e deputetëve vijon, shifrat e Kuvendit të Shqipërisë tregojnë faturën që ligjvënësit u kanë kushtuar qytetarëve vetëm gjatë muajit korrik 2026: afro 541 mijë euro.
Pasqyrat financiare të Kuvendit zbulojnë se, përveç pagës bazë prej afro 2 mijë eurosh në muaj, deputetët përfitojnë një sërë pagesash dhe rimbursimesh shtesë, që nga karburanti dhe telefonia, deri te dietat për udhëtime, qiratë e banesave dhe faturat e hoteleve.
Vetëm për përfitimet dytësore të deputetëve, gjatë korrikut Kuvendi ka shpenzuar 250,997 euro. Pjesën më të madhe të kësaj fature e zënë dietat për udhëtimet brenda vendit, të cilat arrijnë në 156,243 euro.
Ndërkohë, 49,512 euro janë shpenzuar për rimbursimin e karburantit, 23,991 euro për shpenzimet telefonike, 14,484 euro për honoraret e mbledhjeve të komisioneve, 6,570 euro për qiratë e banesave dhe 194 euro për faturat e hotelit.
Deputetët mund të përfitojnë deri në rreth 400 euro në muaj për karburant dhe 170 euro për shpenzimet telefonike, përveç dietave dhe rimbursimeve të tjera të parashikuara.
Në krye të listës së deputetëve që kanë marrë përfitimet më të larta ekstra gjatë korrikut, pa llogaritur pagën bazë, renditen Antoneta Dhima, Elton Korreshi dhe Zamira Sinaj, me nga 2,812 euro secili.
Pas tyre vijnë Erjo Mile dhe Bledi Çomo, me nga 2,794 euro, Ledina Alolli me 2,757 euro, Zegjine Çaushi me 2,738 euro, Ilirjan Pendavinji me 2,720 euro, ndërsa Fadil Nasufi dhe Kiduina Zaka kanë përfituar nga 2,702 euro secili.
Në total, për pagat bazë të deputetëve janë shpenzuar rreth 290 mijë euro, ndërsa përfitimet shtesë kapin shifrën prej 250,997 eurosh.
Kështu, vetëm për muajin korrik 2026, fatura totale e deputetëve për buxhetin e shtetit arrin në 540,997.15 euro, ose afro 541 mijë euro.