Skip to content
Të Gjitha

Denoncoi mungesën e veshjeve të posaçme/ Flet mjeku i Urgjencës pasi u shkarkua nga puna ditën e sotme

· 3 min lexim

Disa ditë më parë mjeku i QSUT Ilir Allkja tha se ishte vetëkarantinuar sepse kishte vizituar persona të infektuar nga Coronavirusi pa veshje speciale.

Mjeku i QSUT në karrantinë, vizitoi 3 të infektuar me Coronavirus pa veshje speciale

Disa orë më pas në një dalje “live” në Facebook teksa jepte disa njoftime të rëndësishme, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek deklarata e mjekut, ku publikoi edhe një foto të Allkjas me veshje speciale.

“Vizitova të infektuarit pa veshje speciale”, Rama publikon foton dhe përgënjeshtron mjekun

Ditën e sotme u bë me dije se mjeku është shkarkuar nga detyra, pa shkresë e pa motivacion nga shefi i i shërbimit të Urgjencës Paraspitalore te Qsut, Ali Xhixha.

Mjeku Allkja ka reaguar së fundmi në një intervistë për newsbomb.al, ku pranon se e ka postuar foton, por thotë se ka qenë vetëm një mision ku ai ka pasur veshjen e posaçme, herët e tjera jo.

Mjeku thotë se në kuadër të pandemisë dyert për ndihmën e mjekëve janë të hapura edhe në Itali, Gjermani, por nuk do që të largohet nga vendi i tij.

INTERVISTA

Newsbomb: Së pari, që njerëzit të kuptojnë më shumë mbi aktivitetin tuaj si mjek, sa kohë keni që e ushtroni këtë profesion?

Allkja: 27 vite, pa asnjë thyerje disiplinore e asnjë masë si nga Urdhri i Mjekut po ashtu edhe nga shteti e punëdhënësit.

Newsbomb: Kush ua komunikoi urdhrin e shkarkimit?

Allkja: Ali Xhixha, shef i shërbimit të Urgjencës Paraspitalore te QSUT.

Newsbomb: Pa asnjë motivacion?

Allkja: Asnjë motivacion deri tani.

Newsbomb: Ju nuk i keni fshehur ndonjëherë bindjet tuaja të djathta apo jo? As faktin që keni protestuar krah Bashës. Ju pyes pasi kryeministri Rama publikoi foton tuaj me dy gishtat lart.

Allkja: Kam dalë në protesta kunder regjimit, pasi është e drejta ime e ligjshme.

Kushtetuta garanton pluralizëm!

Në punën time iu kam shërbyer të varfërve e të pasurve, të djathtëve e të majtëve.

Kam sakrifikuar shendetin tim  per t’ju sherbyer pacientëve !

Newsbomb: Si është e vërteta juaj për fotot e famshme me veshjet mbrojtëse? Kryeministri tha se ju gënjyet..

Allkja: Unë kam qenë vetëm në një mision me veshje mbrojtëse, është e vërtetë, por kam qenë në shumë misione pa veshje mbrojtese, dhe kam prova të forta për këtë!

Newsbomb: Ndërkohë ju po vazhdoni punën?

Allkja: Po. Mbrëmë isha në punë. Pasnesër jam në punë dhe do të shkoj derisa të kem një vendim zyrtar për pushimin tim !

Newsbomb: Pas kesaj, ç’keni ndërmend të bëni? Ne kemi nevojë për mjekë, siç tha edhe ministrja…

Allkja: Në kuadrin e pandemisë botërore kam derën hapur në tërë Italinë si dhe në Gjermani, por nuk dua ta lë vendin tim në këto momente kaq të rënda.