Skip to content
Kryesore

Delegacioni serb braktis sallën gjatë raportimit të Kosovës për “Prishtina 2030”

· 2 min lexim

Një incident diplomatik ka shoqëruar raportimin e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), ku u prezantua ecuria e përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Delegacioni i Serbisë u largua nga salla gjatë prezantimit të Kosovës, në shenjë proteste dhe kundërshtimi.

Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, raportoi para Asamblesë mbi punën e zhvilluar deri më tani dhe progresin e arritur në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtij eventi të madh sportiv ndërkombëtar.

Gjatë prezantimit, Gashani përdori materiale vizuale, statistika dhe të dhëna konkrete për t’u paraqitur përfaqësuesve të vendeve anëtare hapat që Kosova ka ndërmarrë në funksion të organizimit të Lojërave Mesdhetare.

Raportimi i Kosovës ishte pjesë e agjendës së rregullt të Asamblesë së Përgjithshme të ICMG-së, ku vendet nikoqire raportojnë mbi ecurinë e përgatitjeve dhe zhvillimet për edicionet e ardhshme të Lojërave Mesdhetare.

Pikërisht gjatë këtij raportimi ndodhi edhe incidenti. Delegacioni serb vendosi të braktiste sallën ndërsa përfaqësuesit e Kosovës po prezantonin përgatitjet për “Prishtina 2030”, duke shprehur në këtë mënyrë kundërshtimin e tij.

Largimi i delegacionit të Serbisë nuk e ndërpreu prezantimin. Delegacioni i Kosovës vijoi raportimin dhe paraqiti para Asamblesë progresin e arritur deri në këtë fazë të përgatitjeve.

Kosova synon që gjatë katër viteve të ardhshme të përmbyllë përgatitjet infrastrukturore dhe organizative, në mënyrë që të jetë gati për pritjen dhe zhvillimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.