Del raporti zyrtar i tërmetit apokaliptik, shemben 17 banesa pas vlerësimit teknik

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Zyra Qëndrore e Menaxhimit të Emergjencave ka bërë ditën e sotme bilancin, pas tërmetit apokaliptik, që goditi vendin 6 ditë më parë.

Si pasojë e tërmetit humbën jetën 51 persona.

Ndërkohë 29 të tjerë ndodhen në spitalin e Traumës dhe të Durrësit.

Rreth 2633 persona që u janë prishur shtëpitë, janë akomoduar në hotele.

Dëmet më të mëdha u shënuan në Thumanë dhe në Durrës.

Grupet e inspektimit shqiptarë dhe të huaj kanë dalë në terren dhe kanë bërë vlerësimin teknik të 400 ndërtesave.

Deri më tani në qarkun e Durrësit janë prishur 12 banesa dhe në Krujë 5 të tjera.

Komunikata e plotë nga zyra qendrore e menaxhimit të emergjencave

E hënë, 2 dhjetor 2019, ora 08:00am: Sot është dita e gjashtë pas tërmetit të rëndë të 26 nëntorit, i cili solli tragjedinë e humbjes së jetës për 51 bashkëqytetarët tanë, dhe shkaktoi të lënduar dhe dëme të mëdha në shumë banesa në bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë, Lezhë.

Kjo komunikatë e përditshme për media ofron informacion mbi punën e institucioneve publike për adresimin e pasojave të tërmetit të datës 26 nëntor 2019, pa pasur pretendimin që kjo pasqyrë të jetë shteruese, duke qenë se veprimet e ndërmarra janë në proces, dhe ecin përpara me shpejtësi.

Gjatë ditës së sotme:
U miratuan nga Këshilli i Ministrave paketat e ndihmës për familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, që përfshijnë strehimin e menjëhershëm të familjarëve, pensione speciale, si dhe mbulimin e shpenzimeve për ceremonitë mortore;

Janë kontaktuar familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit për të diskutuar me ta hapat konkretë për strehimin e tyre të menjëhershëm dhe fillimin e procedurave për marrjen e pensioneve speciale;

Vazhduan të funksionojnë Shtabet e Emergjencës;

në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, të cilat menaxhojnë të gjitha aspektet e punës për adresimin e pasojave afatshkurtra dhe afatmesme të tërmetit;

Vijojnë të marrin ndihmë mjekësore 29 persona nga të cilët 22 në Spitalin e Traumës, 4 në Spitalin e Durrësit dhe 3 të tjerë të transferuar jashtë vendit për kurim;

Numri i qytetarëve të strehuar në struktura hoteliere në Durrës, Shëngjin dhe Kavajë ka arritur në 2633;

U liruan katër palestra në Durrës, pas verifikimeve të bëra me Njësitë Administrative. Banorët që janë bërë të pastrehë nga tërmeti u sistemuan në strukturat hoteliere.

Në Tiranë pesë Qendrat Sociale vazhduan të ofrojnë strehim dhe ushqim për banorët e pastrehë për shkak të termetit.

Vazhdoi gjatë ditës së sotme shpërndarja e ushqimeve, veshjeve, barnave, produkte higjenike, për të gjithë qytetarët e akomoduar në hotele dhe për ata që kanë zgjedhur të qendrojnë në çadra pranë shtëpive të tyre, kryesisht në zonat rurale.

Kjo përfshin bashkërendimin e ndihmave të ofruara nga shumë bashkëqytetarë, biznese, organizata jofitimprurëse vendase dhe të huaja (Itali, Greqi, Zvicër, etj.), vëllezër dhe motra nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga disapora;

Në hotelet ku janë strehuar qytetarë, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, vazhdoi të ofrohet shërbim mjekësor dhe ndihmë psiko-sociale pa ndërprerje, u përgatitën listat e fëmijëve dhe vazhduan përgatitjet për transportin e tyre për në shkolla dhe të prindërve për në vendet e tyre të punës;

Grupi i Ekspertëve të Vlerësimit të Banesave i përbërë nga 70 ekspertë inxhinierë vendas dhe të huaj, të organizuar në 11 grupe, mbështetur edhe nga Mekanizmi i Përbashkët i Emergjencave Civile të Bashkimit Europian dhe Kombeve të Bashkuara, vazhdoi vlerësimin teknik të ndërtesave duke e çuar në 400 numrin e objekteve të vlerësuara;

Vazhdoi shembja e banesave të shkatërruara nga tërmeti në bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak, sipas vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve. Deri më sot, në qarkun Durrës janë prishur 12 banesa të shkatërruara dhe 5 të tilla në bashkinë Krujë.

Shpërndaje
Share.

Komento