Covid-19 ka prekur edhe organet e drejtësisë. Mësohet se kreu i Gjykatës së Posaçme, Sandër Simoni është i infektuar me Covid-19. Gjyqtari është konfirmuar me COVID-19 5 ditë më parë dhe ndërkohë është karantinuar në banesën e tij. Menjëherë janë pezulluar seancat në Gjykatën e Posaçme deri në momentin e daljes së testeve për të gjithë stafin dhe ka nisur dezinfektivi i zyrave. Po kështu, Simoni javët e fundit ka marrë pjesë në të disa seanca gjyqësore dhe ka nisur edhe hetimi epidemiologjk.
Kujtojmë se Gjykata e Posaçme dhe SPAK janë në të njëjtën godinë. Dosja.al raportoi më herët se është infektuar edhe nën-kryetari i Kasastrës së Durrësit, motra e tij gjyqtare dhe gjithë anëtarët e tjerë të familjes. Ata janë karantinuar në banesat e tyre. Ndërkohë, gjatë orëve të fundit është rënduar sërish bilanci i Covid-19.
Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se kanë humbur jetën edhe 2 pacientë të tjerë tek Infektivi. Sakaq janë konfirmuar edhe një 90 raste të reja. Harta është zgjeruar në 10 qytete. Numri më i lartë i të infektuarve është në Tiranë. Në spitalin Infektiv po marrin mjekim 81 pacientë, nga të cilët 5 janë të intubuar dhe ndodhen në gjendje të rëndë.