Teksa numri i të infektuarve me koronavirus përgjatë këtij muaji është shtuar, po ashtu është rritur dhe numri i shtrimeve pranë spitalit të Infektivit.
‘BalkanWeb’ informon se përgjatë 30 minutave të fundit në spitalin Covid 1 janë paraqitur 4 pacientë për t’u shtruar.
Mësohet se këta persona janë nga rrethet dhe mbi 60 vjeç, ndërkohë, një prej rasteve është në gjendje më të rënduar, mbi moshën 80 vjeç.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 3 persona, një 63-vjeçare nga Tirana, një 65-vjeçar nga Tirana dhe një 60-vjeçar nga Elbasani, me disa sëmundje bashkëshoqëruese. Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 368 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 82 raste pozitive.
Ndërkohë, vijon të ketë shtrime të reja në spitalin Infektiv, ku aktualisht po trajtohen 78 pacientë, 9 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar në gjendje të rëndë. Fatmirësisht, në 24 orët e fundit janë shëruar 43 qytetarë, duke e çuar në 1559 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1,034 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.