Çelja e negociatave, 4 ministra të Jashtëm të BE-së deklarojnë qëndrimin pro Shqipërisë
Shqipëria është duke pritur me ankth 18 tetorin, datë në të cilën BE do të japë një përgjigjë, nëse do të hapë apo jo negociatat me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut.
Katër ministra të Jashtëm të BE, kanë bërë thirrje që Shqipërisë t’i hapen negociatat.
Bëhet fjalë për kryediplomatët e Çekisë, Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë, shkruan ‘Vizion+’
Në përmjet një letre të përbashkët, ata kanë theksuar progresin e të dy vendeve.
“Ata kanë transformuar ekonominë, gjyqësorin, administratën publike dhe aparatet e sigurisë. Ne nuk mund të jemi të pavëmendshëm ndaj këtij realiteti dhe të kërkojmë justifikime për të mos ecur përpara me procesin e integrimit në BE. Ndërsa BE vendos nëse do të fillojë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është e rëndësishme të theksohet se të dy vendet kanë përmbushur kriteret që BE përcaktoi për ta, duke vendosur reforma të ndërlikuara të brendshme”, thuhet në letër.
Sipas ministrave, nisja e negociatave është një vendim i guximshëm, jo vetëm për të ardhmen e këtyre dy vendeve, por edhe për Ballkanin e BE-në.
Katër ministrat e jashtëm e quajnë nisjen e negociatave një impuls të ri për Shqipërinë.
“Koha është e gatshme për të marrë një vendim të guximshëm për të ardhmen e jo vetëm këtyre dy vendeve, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Një vendim pozitiv do të dërgojë një sinjal të qartë se BE njeh rezultatet konkrete në përmbushjen e kushteve të përcaktuara. Ai do t’i sigurojë rajonit një impuls të ri për reforma dhe transformime të mëtejshme”, vijon më tej letra.
Nesër paradite ministrat e Jashtëm të unionit do të nisin diskutimet për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa më 17-18 tetor do të mblidhen vetë krerët e vendeve të BE-së, ku do të diletmë pas me një përgjigje përfundimtare.