Call center-at e mashtrimit financiar janë kthyer në një nga industritë më shqetësuese të krimit në Shqipëri, duke përfshirë qindra të rinj në skema që zhvasin qytetarë nga Europa dhe SHBA.
Zyrat e këtyre kompanive duken si ambiente moderne pune, me kompjuterë, kufje, drita neoni dhe të rinj që flasin disa gjuhë të huaja. Por pas emrave në dukje legjitimë, si “Magnolia Group”, “Espiron Studio”, “IOTA Network” apo “Koppa Network”, autoritetet kanë zbuluar rrjete të organizuara mashtrimi.
Më 14 prill, policia ndërhyri në disa zyra në qendër të Tiranës, ku u zbuluan mbi 400 punonjës dhe mbi 900 mijë euro cash, të ndara në zarfe si bonuse për operatorët më të suksesshëm. Sipas hetimeve, viktimat mashtroheshin përmes platformave fiktive investimi, ndërsa dëmi llogaritet në të paktën 50 milionë euro.
Operacioni “Ghost Call” u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet austriake, Europolin dhe Prokurorinë e Tiranës. Europol deklaroi se qendrat ishin të organizuara profesionalisht, me ndarje të qartë rolesh dhe hierarki menaxhimi. Pas regjistrimit fillestar, viktimave u caktoheshin agjentë që hiqeshin si këshilltarë investimesh.
Sipas prokurorëve, kjo industri po konkurron me trafikun e narkotikëve për nga shpejtësia e pasurimit të paligjshëm dhe po kriminalizon mijëra të rinj.
“Është fenomen shumë shqetësues,” tha një prokurore për BIRN në kushtet e anonimatit.
“Nëse flasim në masë se sa ndikon në kriminalizimin e shoqërisë, për mua është më e rrezikshme se shpërndarja e drogës, sepse masiviteti është i madh dhe një pjesë e tyre janë thjesht të përdorur,” shtoi ajo.
Eksperti i sigurisë Redion Qirjazi paralajmëron se në këto ambiente ndodh normalizimi gradual i sjelljes së paligjshme, ndërsa të rinjtë fitojnë aftësi dhe krijojnë kontakte që mund t’i çojnë drejt krimeve më të sofistikuara.
Edhe gazetarja Luela Gaxhja, e cila ka investiguar call center-a të tilla, thotë se operatorët janë të vetëdijshëm për atë që bëjnë. Sipas saj, të rinjtë tërhiqen nga paratë e shpejta, jeta luksoze dhe ideja e rreme se bëhet fjalë për një “krim të pastër”.
Dëshmitë e mbledhura prej saj flasin për skema shpërblimesh spektakolare, ku kur një operator mashtronte një klient me mbi 50 mijë euro, puna ndalej, hapej shampanja dhe bonusi jepej cash në sy të të gjithëve.
Sociologu Ergys Mërtiri e lidh fenomenin me krizën e vlerave në shoqëri, ku modelet e suksesit të shpejtë dhe parasë pa mund kanë zëvendësuar punën e ndershme.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse kjo industri nuk goditet në mënyrë të koordinuar, Shqipëria rrezikon të prodhojë një brez të rinjsh me aftësi reale, por të orientuara drejt krimit. Tolerimi i gjatë i këtyre aktiviteteve po dëmton edhe imazhin ndërkombëtar të vendit, duke krijuar perceptimin se Shqipëria është një terren ku mashtrimet online mund të zhvillohen lehtësisht.








