Skip to content
Të Gjitha

Betohen dy prokurorë, Ibrahimi: E keni rrogën më të madhe se Presidenti

· 2 min lexim

Sot u betuan dy prokurorët e rinj, Enkeleda Hoxha dhe Gazmend Frëngu. Enkeleda Hoxha është caktuat në detyrën e Prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, ndërsa Gazmend Frëngu, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi u shpreh, me këtë rast, se të dhënat nga procesi i vettingut i ngjasojnë një bilanci “lufte”,  sa u takon të shkarkuarve.

“Që në ditën e parë të punës, ju paguheni më shumë se Presidenti i Republikës, fakt shumë domethënës. Të dhënat nga vettingu, kur raportohet për drejtësinë, i ngjasojnë një bilanci lufte, sa u takon të shkarkuarve”, tha Ibrahimi.

Në vijim, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi tha:

“Ju hyni në sistem, në familjen e madhe të prokuroreve të Republikës, në një kohë të vështirë. Për fat të keq, lajmet nga sistemi i drejtësisë vazhdojnë t’i ngjajnë një buletini lufte, me shifra për numrin e te rënëve në vetting, me vështirësi dhe problematika që shkaktohen qoftë nga rënia drastike e numrit të magjistratëve, qoftë nga problemet e trashëguara, rregullatore e infrastrukturore, qoftë edhe nga besimi ende i lëkundur i shoqërisë tek sistemi i drejtësisë”, tha Ibrahimi.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Kryeprokurori i Përgjithshëm, z. Olsian Cela, drejtuesit e prokurorive të rrethit Pogradec dhe Kukës si dhe përfaqësues nga misionet ndërkombëtare OPDAT dhe EURALIUS.

/GazetaReforma.com/