Bastet online rikthehen pas 7 vitesh, kush do t’i marrë licencat? Dyshime për monopol

Shtatë vjet pasi qeveria i mbylli lojërat e fatit me premtimin se po i jepte fund një “plage sociale”, bastet po bëhen gati të rikthehen. Këtë herë jo në lokalet e lagjeve, por direkt në telefonin e çdo lojtari, 24 orë në ditë.
BIRN raporton se qeveria shqiptare ka përfunduar kuadrin ligjor për legalizimin e basteve sportive online dhe tashmë mbetet hapja e garës për licencat. Pikërisht këtu nisin edhe pikëpyetjet: sa licenca do të jepen, kush do t’i marrë dhe sa transparente do të jetë gara?
“Sistemi është gati nga pikëpamja ligjore, por gara për licensim ende nuk është hapur zyrtarisht,” deklaroi Ministria e Financave për BIRN.
Ligji lejon deri në 10 licenca për operatorët online, të cilët duhet të ngrijnë të paktën 120 milionë lekë kapital si garanci për fituesit dhe të kenë eksperiencë të provuar në vende perëndimore.
Por “deri në 10” nuk do të thotë domosdoshmërisht 10.
Vendimin për numrin e licencave që do të nxirren në konkurrim e merr Komisioni i Licencave. Dhe pikërisht kjo hap debatin nëse Shqipëria do të ketë një treg me disa operatorë apo një treg të përqendruar në shumë pak duar.
Endri Meksi, i angazhuar prej vitesh në formalizimin e lojërave të fatit, vlerëson se tregu i zi i basteve qarkullon rreth 2.5 miliardë euro në vit dhe se legalizimi mund t’i sjellë buxhetit 20-22 milionë euro në vit. Por ai ngre pikëpyetje për heshtjen e institucioneve.
“Ministri i Financave është absente totalisht në këtë histori, nuk shprehet për asgjë,” tha Meksi.
“Komisioni i licencave është ai që vendos dhe mund të hapë maksimumi 10 licenca për garë, por mund të hapë garë për një licencë. Në këtë rast do të kemi një monopol. Mund të hapë për tre, le të themi, pothuajse një oligopol,” shtoi ai.
Edhe opozita ngre dyshime se pas kuadrit ligjor mund të fshihet një proces klientelist.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e zhvendos debatin pikërisht te pyetja më e fortë: kush do t’i marrë licencat?
“Problemi nuk është vetëm ekzistenca e basteve online. Problemi është se kush do t’i marrë licencat, si do të verifikohet pronësia përfituese e kompanive, burimi real i kapitalit, lidhjet ndërmjet aksionarëve dhe nëse procedura konkurruese do të jetë e hapur,” thekson Tabaku, duke shtuar se pa transparencë krijohet “terreni ku interesat klienteliste, kapitalet e dyshimta dhe vendimmarrja qeveritare mund të takohen.”
Por ndërsa gara për licencat ende nuk ka nisur, një tjetër problem qëndron pas derës: varësia nga bixhozi.
Në vitin 2019, bastet u nxorën jashtë ligjit pasi tregu kishte arritur në mbi 4 mijë pika fizike. Ndalimi nuk e zhduku fenomenin, por një pjesë të tij e shtyu në informalitet. Tani, me rikthimin online, pika e bastit nuk do të jetë më domosdoshmërisht në cep të rrugës. Ajo mund të jetë në xhep, në ekranin e celularit, në çdo orë të ditës.
Psikiatri dhe psikoterapisti Neli Demi paralajmëron pikërisht për këtë rrezik.
“Nga pikëpamja klinike, kalimi nga pika fizike e basteve te telefoni celular ndryshon cilësinë e ekspozimit. Nëse më parë duhej të dilje nga shtëpia, të shkoje në një pikë bastesh dhe kjo krijonte njëfarë ‘fërkimi’ psikologjik, tani bixhozi mund të jetë në xhep 24 orë në ditë,” thekson Demi.
Problemi bëhet edhe më i fortë për shkak se Shqipëria nuk ka ende një sistem të specializuar për trajtimin e varësisë nga bixhozi.
“Nuk kemi qendra të specializuara për varësinë nga bixhozi, nuk kemi programe kombëtare rehabilitimi dhe shumica e pacientëve trajtohen brenda shërbimeve të përgjithshme të shëndetit mendor ose në praktikën private. Kjo do të thotë se ndihma ekziston, por është e fragmentuar dhe jo e mjaftueshme,” shtoi Demi.
Ministria e Financave këmbëngul se ligji ka mekanizma mbrojtës, nga regjistri elektronik kombëtar i lojtarëve të përjashtuar dhe vetëpërjashtimi, deri te mundësia që familjarët të kërkojnë ndalimin e aksesit të një personi në lojërat e fatit.
Operatorët do të detyrohen gjithashtu të publikojnë informacion mbi rreziqet e varësisë, shanset reale të fitimit dhe strukturat që ofrojnë këshillim apo trajtim.
Por këtu lind paradoksi tjetër: ligji u kërkon operatorëve t’i drejtojnë personat me probleme drejt strukturave të trajtimit, ndërkohë që, siç evidenton BIRN, struktura të tilla të specializuara janë pothuajse inekzistente në vend.
Pra, rikthimi po afrohet. Ligji është gati. Bastet do të jenë online. Por dy pyetje të mëdha mbeten ende pa një përgjigje të qartë: kush do t’i marrë licencat dhe kush do ta paguajë koston sociale të rikthimit të bixhozit?