Skip to content
Të Gjitha

Basha viziton Sahit Dollapi në spital: “Mjekët po e mbajnë nën kontroll”

· 2 min lexim

Sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Sahit Dollapi ndodhet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë pasi ka marrë dëmtime në gjunjë dhe në shpatull gjatë përplasjes mbrëmjen e kaluar para Parlamentit.

Ai që e ka vizituar ka qënë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili ka mbërritur në ambientet e spitalit të Traumës, aty ku ndodhet sekretari organizativ i selisë blu, Sahit Dollapi. Ky i fundit u la i lirë nga policia në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ai u lëndua gjatë ditës së djeshme në përplasje me policinë në rrugën afër Kuvendit të Shqipërisë.

Kryedemokrati ka qëndruar pak minuta në ambientet e spitalit të Traumës, ndërsa  lideri i selisë për mediat deklaroi se protestat do të vijojnë.

“Mjekët po e mbajnë nën kontroll, pasi ka marrë shumë dëmtime nga arrestimi i policisë”-theksoi Basha.

Sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Sahit Dollapi vijon të marrë ndihmën mjekësore pasi sipas bluzave të bardha ai ka pësuar dëmtime në pjesën e shpatullës.

Mësohet se Dollapi ka nxjerrë shpatullën në momentin që është tërhequr zvarrë nga policia gjatë protestës së mbrëmshme. Gjithashtu, nga ana e mjekëve që po e mbajnë nën mbikëqyrje bëhet me dije se ata nuk mund të kryejnë asnjë ndërhyrje, pasi sipas tyre pacienti vuan nga zemra. Mësohet se Dollapi ka kryer tri ndërhyrje në zemër.