Deputetja Rudia Hajdari ka dalë në një deklaratë për mediat një ditë pas miratimit në parim në Komisionin e Ligjeve të Ndryshimeve Kushtuese që ndalojnë koalicionet, sjellin listat e hapura dhe vendosin pragun 5% për partitë e vogla. Hajdari nxori një video të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha ku thekson se po gënjen shqiptarët në lidhje me listat e hapura ku para 3 vitesh u premtoi hapjen e tyre, ndërsa doli një ditë më parë kategorikisht kundër hapjes së listave.
“Që në 2017 kur PD hapi fushën elektorale premtoi lista të hapura dhe se lista do të zgjidhej nga qytetarët dhe jo më kryetari i partisë. Një zotim që unë e kam marrë seriozisht dhe se kjo do të jetë beteja që unë kam vendosur për shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme. Pra siç e shikoni ky ishte një premtim që nuk u mbaj dhe në fakt në politikë duhet të mbash një qëndrim të qartë dhe të jesh koherent me publikun. Nuk e di nëse e kam këtë prej origjinës apo i ka ardhur koha që të mbahen premtimet ndaj qytetareve. Dua ti them qytetarëve që ajo që kërkoj unë të dal si kandidate në një listë të mbyllur ashtu siç u futa në një të tillë si e bija e Azem Hajdarit, por që nesër të dal si Rudina Azem Hajdari që nuk ka frikë nga vota e qytetarëve dhe ta marrë atë votë me meritë të plotë”, tha Hajdari.
Hajdari doli gjithashtu në një qëndrim me kryeministrin Edi Rama për listat e hapura dhe heqjen e koalicioneve zgjedhore, dy pika të cilat de facto i heqin mundësinë Partisë Demokratike të garojë në koalicion me LSI në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
”Unë kam luftuar që nga fillimi për listat e hapura. Po e çoj para betejën. Nëse keni akuza të tilla, premtoni fakte. Këto janë premtime që janë bërë në 2017. Sot Basha qahet se po ikin koalicionet. Është një llogaritje e qartë e rotacionit dhe interesit të ngushtë. Prandaj për mua, unë s’dua të punoj as për familjen Rama, as për familjen Basha, as për Metën, dua të garoj. Unë s’dua të bëj asnjë koalicion me ta nesër. Sa për pragun mendoj se duhet të jetë 3%. Nëse se kalon dot një parti s’duhet të jetë. 5% është shumë i lartë. Unë s’mendoj se kemi kapacitetet e gjermanisë. Të negociojmë që ata prag ta ulim në 3%.”
Deputetja Hajdari i ka mëshuar hapjes së listave që në fillim të procesit të Reformës Zgjedhore, si një pikë e pa lidhur ngushëtësisht e heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
Pak ditë më parë ajo dhe disa deputetë të opozitës parlamentare mes tyre edhe Myslim Murrizi kërkuan disa ndryshime kushtetuese mes tyre edhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore si kusht për votimin e marrëveshjes së 5 qershorit.
Kjo pikë gjeti menjëherë mbështetjen e mazhorancës. Në një deklaratë për media, kryeministri Rama tha se kjo bëhet për arritur në dakordësinë e opozitës parlamentare për marrëveshjen e nënshkruar me atë jashtëparlamentare për miratimin e Kodit Zgjedhor.