Skip to content
Kryesore

Autoriteti i Konkurrencës mbyll hetimin ndaj ONE dhe Vodafone: Pranon rritjet e njëjta të çmimeve, por nuk gjen shkelje

· 4 min lexim

Pas muajsh hetimesh mbi tregun e telefonisë celulare, Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur procedurën ndaj Vodafone Albania dhe ONE Albania pa konstatuar shkelje të ligjit, edhe pse vetë hetimi evidenton se dy operatorët kanë ndjekur rritje të ngjashme të çmimeve, reagime të sinkronizuara dhe oferta pothuajse identike gjatë periudhës 1 janar 2022 – 18 nëntor 2025.

Sipas vendimit, analiza ekonomike dhe juridike nuk arriti të provojë ekzistencën e një koordinimi apo praktike të bashkërenduar mes dy kompanive, duke e konsideruar sjelljen e tyre si pasojë të funksionimit të një tregu duopolistik me transparencë të lartë.

Megjithatë, vetë Autoriteti pranon se çmimet e paketave janë rritur progresivisht dhe në periudha të përafërta, se ndryshimet janë bërë në kategori të ngjashme shërbimesh dhe se paketat kanë përmbajtje pothuajse identike, duke kufizuar diferencimin dhe presionin konkurrues në treg.

Hetimi evidentoi gjithashtu se operatorët nuk paraqitën një metodologji të plotë dhe të standardizuar që të justifikonte ekonomikisht çdo rritje tarifash. Nuk u administruan analiza të detajuara kosto–çmim për paketat dhe mungonte dokumentimi i plotë i kostove, por Autoriteti vlerësoi se kjo, në vetvete, nuk mjafton për të provuar një marrëveshje të ndaluar mes operatorëve.

Në vend të sanksioneve, Komisioni i Konkurrencës vendosi një sërë detyrimesh që duhet të zbatohen brenda 90 ditëve. Dy operatorët do të duhet të krijojnë paketa më të favorshme për pensionistët dhe studentët 18–23 vjeç, të ofrojnë edhe në pikat fizike paketën më të lirë dhe të garantojnë që abonentët, pas përfundimit të kontratës, të kenë të drejtë të kalojnë në një paketë më të lirë pa penalitete.

Vendimi ngre pikëpyetje edhe për bazën ligjore të disa prej këtyre detyrimeve. Ligji për mbrojtjen e konkurrencës nuk parashikon detyrim që bizneset të zbatojnë politika sociale për kategori të veçanta, ndërsa lehtësitë për pensionistët apo studentët zakonisht sigurohen përmes subvencioneve shtetërore.

Autoriteti kërkon gjithashtu që çdo ndryshim në çmim apo përmbajtje të paketave t’u njoftohet abonentëve të paktën 30 ditë më parë, që çdo rritje tarifash të mbështetet në analiza të dokumentuara të kostove, që paketat të kenë diferencim real dhe që kontratat standarde të marrin vlerësim paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës.

Megjithatë, vendimi nuk trajton një nga çështjet kryesore që ishte bërë objekt debati publik: praktikën e indeksimit të përvitshëm të tarifave me inflacionin. Kujtojmë se në maj të këtij viti, si ONE Albania ashtu edhe Vodafone Albania rritën sërish çmimet duke aktivizuar klauzolën e indeksimit sipas inflacionit, një mekanizëm që ishte pjesë e hetimit të Autoritetit.

Po ashtu, nuk është analizuar niveli shumë i lartë i tarifave standarde për minutë, SMS apo internet jashtë paketave, çka detyron pothuajse të gjithë abonentët të zgjedhin paketa me çmim fiks.

Një tjetër element i evidentuar nga hetimi lidhet me mungesën e transparencës në kontratat e operatorëve. Autoriteti konstatoi se në dokumentacion nuk pasqyrohej qartë e drejta e abonentëve për të kaluar në një plan më të lirë pas përfundimit të kontratës dhe se procedurat për bartjen e numrit nuk ishin të shpjeguara në mënyrë të plotë.

Edhe pse këto konstatime mund të përbëjnë shkelje serioze ndaj konsumatorëve, Autoriteti nuk vendosi asnjë gjobë ndaj operatorëve.

Në vendim bie në sy edhe fakti se disa nga detyrimet e vendosura prekin kompetenca që zakonisht i përkasin Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), si vlerësimi i kontratave dhe kushteve të shërbimit. Pavarësisht kësaj, vendimi nuk përmban asnjë rekomandim për AKEP.

Autoriteti i Konkurrencës do të monitorojë zbatimin e detyrimeve për një periudhë njëvjeçare. Në rast mosrespektimi të tyre, Vodafone Albania dhe ONE Albania do të përballen me penalitetet e parashikuara nga ligji.