Autorët mund të jenë nga veriu ose Kosova, detaje të reja për atentatin ndaj Prokurorit të Durrësit
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoja, pasditen e djeshme në mbikalimin e Shkozetit.
Dyshohet se autorët e atentatit janë vrasës me pagesë, nga Kosova ose veriu i vendit, shkruan ‘Dosja.al’.
Mendohet se autorët kanë përdorur dy makina, ku njëra i ka prerë rrugën fillimisht.
Kanë qenë manovrat e shoferit të Ndojës, që i kanë shpëtuar jetën atij dhe Landi Muharremit.
Autorët kanë qenë të maskuar dhe pas breshërisë së plumbave, janë larguar nga rruga e Ishmit.
Ata kanë shmangur edhe kamerat e sigurisë, pasi kanë përdorur rrugën Vorë-Fushë-Krujë.
Prokuroria dhe policia kanë në dorë si provë, makinën tip ‘Benz’, e cila u braktis nga autorët dhe për çudi nuk u dogj.
Brenda mjetit u gjetën dy maska dhe dy kallashnikovë.
Kjo dosje i ka kaluar prokurorit të Krimeve të Rënda, Anton Martini, i cili ditën e djeshme mori në pyetje prokurorin Ndoja.
Ky i fundit mohoi të ketë qenë shënjestra e atentatit.
Mësohet se në lidhje me këtë ngjarje janë shoqëruar dhjetëra persona, ndërmjet të cilëve edhe Julian Meçe, i cili ka qenë pjesë e bandës së Durrësit dhe i shpëtoi një atentati pak muaj më parë.