Policia e Shtetit vë në dispozicion shumën prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacion për kapjen e 49-vjeçarit Talo Çela, i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj në Durrës, si dhe për grabitjen e ndodhur në prill të vitit 2019 në aeroportin e Rinasit.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore që janë të shpallur në kërkim, Policia e Shtetit, duke vlerësuar si mjaft të rëndësishëm dhe rezultativ bashkëpunimin me qytetarët, kërkon sërish bashkëpunimin dhe kontributin e tyre për të lokalizuar vendndodhjen e një personi shumë të kërkuar, shtetasit Talo Çela, 49 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. Për këdo që do të japë informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizimin dhe kapjen e këtij personi, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion shumën 10 mijë euro.
Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.