Është identifikuar viktima e atentatit të mëngjesit të sotëm te rruga e Durrësit, pranë Piramidës. Bëhet fjalë për shtetasin Behar Sofia, me moshë 65 vjeçare.
Sofia mësohet të ketë qenë biznesmen me origjinë nga Lapardhaja e Beratit dhe ishte banues në “Rrugën e Qelqit” në Kombinat.
Burime bëjnë me dije se viktima 65 vjeçar dyshohet të ketë pasur precedent penal në fushën e lëndëve narkotike jashtë vendit. Bizneseve të tij pranë stadiumit Dinamo në Tiranë i janë vendosur shpesh tritol me qëllim paralajmërimin e tij.
Gjithashtu mësohet se Behar ose Fatmir Sofia vite më parë është përfshirë në trafik droge me bosin e njohur Abdulselam Turgut.
Sipas shtypit turk Sofia së bashku me pesë persona të tjerë kanë qënë nën hetim pasi kishin bërë plane të fusnin një ngarkesë heroine edhe në Shqipëri, nëpërmjet një mjeti të ngarkuar me patate. Por ky plan ka dështuar pas arrestimit të një futbollisti, i cili u kap me 30 kilogramë heroinë.
Ndër të tjera kujtojmë se 66 vjeçari në gusht të vitit 2009 ka qenë një ndër emrat e përfshirë në ngjarjen e Durrësit ku u vranë 4 policë gjatë operacionit për të arrestuar Dritan Dajtin.
Ngjarja
Behar Sofia u qëllua mëngjesin e sotëm (25 shkurt) me armë silenciator dhe mori dy plumba. Megjithëse u transportua në spital, nuk ka mundur të mbijetojë.
Sipas personave të pranishëm në vendgjarje, viktima ishte duke ecur në këmbë, ndërkohë që atentatorët dyshohet se mund të kenë qenë me makinë. Ai ka marrë dy plumba në trup. Fakti që arma ka qenë me silenaciator, hedh dyshimet se e gjithë skena ishte e mirëmenduar.
Kanë qenë kalimtarët ata që kanë pikasur një person të shtrirë përtokë në rrugë dhe të mbuluar në gjak, ndërsa kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit pasi mbërriti në vendin e ngjarjes, bashkë me një autoambulancë e cila bëri të mundur transportimin e tij në spital.
Policia ka nisur hetimet për ngjarjen që tronditi kryeqytetin mëngjesin e sotëm teksa në vend ka shkuar dhe kreu i Policisë së Tiranës Rebani Jaupi.
Në Tiranë janë ngritur disa postblloqe në pikat hyrëse dhe dalëse për kapjen e autorëve. Sipas të dhënave mësohet se bizneset e tij janë sulmuar më herët me eksploziv.