Një atentat me armë zjarri ka tronditur orët e para të mëngjesit të 20 qershorit në fshatin Krastë të Fushë-Krujës.
Rreth orës 01:10, persona ende të paidentifikuar kanë hapur zjarr në drejtim të një lokali dhe hoteli në pronësi të Mondi Vogës, ish-shofer i ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe një emër i njohur për autoritetet.
Sulmi u raportua nga vetë Voga, i cili ndodhej në ambientet e objektit së bashku me familjen.
Autorët, të maskuar dhe të pozicionuar pranë një zone të pyllëzuar, qëlluan me breshëri, mbi 15 plumba kallashnikov drejt ndërtesës, duke shkaktuar dëme materiale, por pa të lënduar.
Plumbat përshkuan katin e parë dhe të dytë, ndërkohë që në njërën nga dhomat ku flinte djali i Vogës, me pamje nga rruga predhat kanë depërtuar rrezikshëm, duke shmangur për pak një tragjedi.
Familjarët e tjerë ndodheshin në pjesën e pasme të objektit.
Pavarësisht hetimeve intensive dhe marrjes në pyetje të Vogës, ku ky i fundit është treguar i rezervuar dhe nuk ka përmendur asnjë emër konkret si të dyshuar.
Burime pranë grupit hetimor konfirmojnë se pista kryesore e hetimit lidhet me konflikte për çështje pronësie, por nuk përjashtohen edhe motive të tjera, për shkak të së kaluarës problematike të pronarit të lokalit.
Mondi Voga është një figurë e njohur për policinë. Në janar të vitit 2020 ai u arrestua për armëmbajtje pa leje, teksa udhëtonte me një automjet të blinduar me fenelina policie dhe mbante një armë zjarri në çantë.
Më herët kishte mbajtur poste publike, si drejtor i ALUIZNI-t në Fushë-Krujë dhe inspektor mjedisi në Durrës. Emri i tij është lidhur edhe me një incident të dhunshëm në vitin 2018 ndaj një avokati, si dhe me një tjetër ngjarje kriminale në vitin 2017, kur lokali i tij u godit me eksploziv.
Nuk është vetëm Voga që ka qenë në shënjestër. Edhe vëllai i tij, efektiv policie në Tiranë, ka qenë objekt i një atentati me armë zjarri, ndërsa pranë makinës së tij janë lënë edhe dy granata.
Ndërkohë, lidhjet e Vogës me ish-prokurorin Arjan Ndoja janë të hershme. Ndoja, i njohur për përfshirjen në çështje të bujshme dhe për atentatin ndaj tij në vitin 2019, u shkarkua nga sistemi i drejtësisë për lidhje me krimin dhe pasuri të pajustifikuar, por u rikthye në jetën publike si deputet i Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim mes policisë së Durrësit, asaj të Krujës dhe Prokurorisë vendore.
Janë sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve përreth, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia që autorët të jenë ndihmuar nga persona të tretë për t’u larguar pas sulmit.