Skip to content
Aktualitet

Arrihet marrëveshja, çfarë u vendos mes Bashës dhe Mediut për zgjedhjet e 25 Prillit

· 2 min lexim

Partia Republikane ka nënshkruar sot marrëveshje me Partinë Demokratike për zgjedhjet e 25 prillit.

Kreu i PR, Fatmir Mediu, tha se kanë firmosur marrëveshjen me Bashën për të shkuar bashkë në zgjedhjet parlamentare.

“Është konsideruar çdo gjë që është e vlefshme për ta bërë sa më mirë çdo parti dhe çdo kandidat, në mënyrë që të kemi zgjedhje të lira e të ndershme dhe më 25 prill të fitojnë shqiptarët. Kjo marrëveshje ka përmbledhur të gjitha marrëdhëniet, qëndrimet, që i shërbejnë fitores. Marrëveshja i jep autoritetin ligjor PD, si parti lider, që të përcjellë në KQZ raportet politike të çdo partie politike”, tha Mediu.

Kujtojmë se sot më 24 shkurt është afati i fundit i partive politike për tu rregjistruar vetëm  ose në koalicion në zgjedhjet e 25 prillit.

Vëmendja më e madhe shkon  në kampin opozitar. Pas dy vitesh  që nuk janë më në parlament, këto do të jenë zgjedhjet e rikthimit.

Prej kohësh PD dhe PR kishin ngërç në raportet mes tyre, ndërsa mësohet se u zgjodh sot, në afatin e fundit të dhënë nga KQZ.

Më herët Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediua tha ajo që ai i ka kërkuar Lulzim Bashës është që të mos neglizhohen logot e partive.

Ai shprehet se koalicioni opozitar nuk është thjesht një përfshirje e partive politike te Partia Demokratike, por është një koalicion, ku qendra e këtij koalicioni është Partia Demokratike.