Skip to content
Të Gjitha

Aksioni i madh i antidrogës me 19 të arrestuar/ GJKKO kthen në Kukës gjykimin për vëllain e kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit

· 2 min lexim

Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me trupë gjyqësore relator Sokol Binaj, ka pranuar ankimet e Arben Tucit dhe Durim Vatës, të cilët akuzohen se janë pjesë e një grupi që kultivonte kanabis, që thuhet se ishte shtrirë nga Shkodra deri në Tiranë.

Mësohet se në Gjykatën e Kukësit, do të kalojë dosja e Durim Vatës dhe Arben Tucit, i cili është vëllai i kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit, Fran Tuci.

Kërkesa është bërë nga avokatët Arbër Hoxha dhe Sokol Tahiraj, duke e nxjerrë çështjen jashtë juridiksionit të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe duke urdhëruar kthimin e akteve në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës. Po ashtu, Prokuroria e Posaçme ka shpallur moskompetencën lëndore duke i kërkuar Gjykatës dërgimin e akteve Prokurorisë Kukës

Ndërkohë masa për 17 të arrestuarit e tjerë, është shtyrë për në datën 10 korrik.

Më 18 maj, pas një operacioni anti-kanabis në Kukës dhe Has u vunë në pranga 19 persona. Në mesin e të arrestuarve ishin edhe punonjësit e policisë, Arben Kalaja në Tiranë dhe Ramiz Cena në Kukës, si dhe oficeri i policisë gjyqësore në qytetin verior, Naim Kadiu.

Pas përgjimeve, prokuroria arriti të zbulonte, se grupi drejtohej nga Kreshnik Murataj. Ky i fundit organizonte grupin, ku anëtarët konsultoheshin me të për mbjelljen, tharjen, paketimin dhe tranportin e lëndës narkotike.