Skip to content
Kryesore

Aksion në Fushë-Krujë: Ramazan Rraja kapet me celular në qeli, telefoni përfundon në duart e SPAK

· 1 min lexim

Aksioni në burgun e Fushë-Krujës ka zbuluar një telefon celular në qelinë e Ramazan Rrajës, i dyshuar për përfshirje në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj. Telefoni është sekuestruar dhe i është dorëzuar SPAK-ut për ekspertizë në laboratorin dixhital.

Kontrolli është zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ndërsa tashmë celulari do t’i nënshtrohet këqyrjes për të verifikuar të dhënat që përmban.

Ramazan Rraja po hetohet si person i dyshuar për përfshirje në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, të ndodhur në vitin 2019 në mbikalimin e Shkozetit. Pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, 30-vjeçari u arrestua në prill të vitit 2023 në një lokal në zonën e Fushë-Krujës.

Atentati ndaj Arjan Ndoj ndodhi më 1 nëntor 2019. Prokurori po udhëtonte me makinë së bashku me Aleksandër Lahon, i njohur edhe si “Rrumi i Shijakut”, kur automjeti u qëllua me armë zjarri.

Nga të shtënat mbeti i vrarë shoferi i prokurorit, Andi Maloku. Për këtë ngjarje është dënuar me burgim të përjetshëm Redjan Rraja, i cili dyshohet se ka qenë personi që qëlloi me breshëri ndaj makinës së Ndojt.