Skip to content
Aktualitet

Policia vijon kontrollet dhe gjobat, ja sa masa ndëshkimore u morën vetëm sot

· 2 min lexim

Në 24 orët e fundit, Policia ka gjobitur me 3.000 lekë, 866 persona, prej tyre 755 që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 101 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për pronarin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 9 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.

Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon “për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19”.

Kujtojmë se momentalisht Shqipëria po kalon një valë të tretë infektimesh, e cila nga shifrat tregon se është ndër më të rrezikshmet.

Shkurti ishte dhe muaji që shënoi bilancin më të zi, me 300 vdekje, më shumë se çdo muaj tjetër.  Sa u përket infektimeve ditore thuajse mesatarisht janë nga 800 të infektuar thuajse përditë.