Kryeministri Edi Rama ka publikuar së fundmi një video në Facebook, ku prezantoi projektin e ri të hekurudhës së re Tiranë-Durrës, për të cilën pritet të nisë puna dhe finalizimi i projektit.
“MIRËMËNGJES, dhe me hekurudhën e re Tiranë-Rinas-Durrës, që më në fund do të nisë nga ndërtimi pas finalizimit të një pune disa vjeçare me Komisionin Europian dhe Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim, ju uroj një javë të mbarë”, shkruajti Rama.
Por mundi i qeverisë për propagandë në kohë fushate ka shkuar dëm. Ishin ndjekësit shqiptarë shumë të vëmendshëm, të cilët kanë zbuluar se kjo video është publikuar në vitin 2016 në youtube, dhe projekti është një projekt i vjetër që është realizuar në Katar.
Kujtojmë se ky projekt, është një premtim i vjetër i Ramës, investim i cili kap shifrën e 90.45 mln euro dhe pritet të përfundojë në 2023.
Projekti parashikon rehabilitimin e linjës ekzistuese të hekurudhës si dhe shtohet një linjë e re hekurudhore prej 5.7 kilometrash, e cila do të lidhë nyjën me aeroportin e Rinasit. Udhëtimi me tren do të jetë me pagesë, por ende nuk është bërë e ditur vlera e biletës.
Por ky projekt “rilindas” nuk është i vetmi. Së fundmi kryeministri Rama ka paraqitur mjaft projekte shndërrimi të godinave, objekteve dhe qendra të qyteteve, duke bërë kështu zhurmë në prag zgjedhjesh, pavarësisht se janë premtime të shkuara dhe që duheshin përmbushur brenda mandateve përkatëse.