Kandidatja e iniciativës “Guxo” në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmani, pritet të thyejë rekordin e votave që ndonjë lider partiak ka marrë ndonjëherë në zgjedhje (pas shpalljes së Pavarësisë) duke kaluar shifrën e 200,000 votave, pa u numëruar votat nga diaspora, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
Sipas Kanal 10, në këto zgjedhje Vjosa Osmani ka marrë 206,570 vota. Më këtë rezultat Vjosa Osmani ka tejkaluar Albin Kurtin që në zgjedhjet e vitit 2019 kishte marrë 183,952 vota.
Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Vjosa Osmani ka garuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kujtojmë se pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Kosovë ishte rreth 47%. Lëvizja Vetëvendosja fitoi rreth 48%, duke u pasuar nga PDK dhe LDK.
E veçanta e këtyre zgjedhjeve të parakohshme ishte se për herë të parë nga pas luftës, fshati i Ibrahim Rugovës, Cërci i Istogut nuk votoi për LDK, por bindshëm për Vetëvendosjen.
Ndryshe nga zgjedhjet në Shqipëri, në Kosovë u zhvillua një proces zgjedhor i qetë, pa asnjë incident serioz, në një mot të ftohtë dhe me masa të rrepta kundër pandemisë Covid-19.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare u mbajtën për 120 vende sa numëron parlamenti i Kosovës. 20 vende janë të rezervuara për partitë e pakicave 10 nga to për serbët e Kosovës.