Lëvizja Vetëvendsoje arriti një fitore historike në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, por nuk ia doli dot të merrte mbi 50% të votave për të formuar qeverinë e vetme. Deri tani Vetëvendosje ka siguruar 57 mandate nga 60 që i duhen, ndërsa ende nuk janë numëruar votat e mërgatës. Ndërkohë, nuk janë mbyllur mundësitë edhe për koalicione të mundshme me partitë e tjera për të formuar qeverinë e ardhshme. Ish- zëvendës kryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka folur në lidhje me koaliacionet duke thënë se nuk përjashtohet mundësia për të bërë marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës sërish, këtë herë me kushtin që Vjosa Osmani të jetë në krye të partisë.
“Kjo është protestë demokratike me kulturë dhe elegancë, pasi votuesi kosovar ka arritur në nivel që nuhat ofertën e keqe dhe ka refuzuar, pasi kërkon marrëdhënie kontrate të re me subjekt të ri. Te Vetëvendosja kanë parë një koncept të ri politik, që mbron interesin publik dhe të shtetit, pa qenë servil dhe cenuar interesin privat. Nuk do jemi peng i Listës Serbe dhe nuk do bëjmë kompromise me ta. Unë mendoj që ka zgjidhje për koalicion, zgjidhje inovative. LDK-ja e mbetur mund të ketë ndonjë reformë dhe të hedhë dritë duke vendosur Vjosa Osmanin në krye”, ka thënë Abazi.