Lajmi i kapjes së grupit të strukturuar kriminal “Avdylaj” ka bërë jehonë deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Byroja Ndërkombëtare për Çështjet e Drogës dhe zbatimit të Ligjit në SHBA (INL), e quan sukses të Gjykatës Speciale shqiptare vendimin për sekuestrimin e pasurive me vlerë 5 milionë euro.
“Dënohen 17 trafikantë droge! Vendimet e Gjykatës Speciale Shqiptare shënojnë një sukses tjetër për Strukturën e Specializuar Antikorrupsion (SPAK). Byroja Ndërkombëtare për Çështjet e Drogës dhe zbatimit të Ligjit (INL) vazhdon të mbështesë zhvillimin dhe operacionet e SPAK përmes ndihmës së drejtpërdrejtë dhe programeve të financuara nga INL – ICITAP & OPDAT”, thuhet në reagimin zyrtar të INL.
Tre ditë me parë Gjykata e Posaçme dha vendimin për arrestimin e 17 personave të akuzuar me 125 vjet burg dhe sekuestroi pasurinë me vlerë 5 milionë euro. Por ende nuk është dhënë vendimi përfundimtar, pasi ata janë dënuar vetëm për një pjesë të dosjes 339.
Kujtojmë se mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, Prodhim dhe Fabrikim i lëndëve narkotike dhe psikotrope”, në bashkëpunim , në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar krimianl”, “Kryerja e veprave penale”, “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim.
Theksojmë se mes të pandehurve në këtë dosje kriminale është dhe vëllai i ish-deputetit të PS në qarkun e Lezhës, Arben Ndoka, Gjevi Ndoka.