Kryeministri Edi Rama ka premtuar se rroga minimale do te vijojë të rritet çdo vit. Për këtë vit ai ka premtuar se shifa do të arrijë në 300 mijë lëkë të vjetra.
Ndryshimi parashikohet të jetë rreth 15,4 % më shumë se paga aktuale minimale, por për Shoqatat e biznesit nisma do të rrisë kostot për të vetëpunësuarit, biznesin e vogël dhe fasonët.
“Sot që flasim kemi hyrë në vitin e parë me një pagë minimale 300 mijë lekë, por s’bëhet fjalë që ne të kërkojmë nga ata që marrin këtë pagë që të jenë të kënaqur e të mos kërkojnë më shumë, por sistemi që po ngremë, zgjerimi i bazës, do të bëjë që paga minimale të shkojë duke u rritur çdo vit”, tha kreu i qeverisë.
Më tej kryeministri u ndal dhe tek ekonomia, duke thënë se raporti i Standart&Poor parashikon një rritje prej 4-5%. Sipas Ramës, ekonomia shqiptare I ngjan një kantieri ndërtimi, ku sot ka infrastukturë nëntokësore të ndërtuar, ngrehina që po dalin hap pas hapi mbi sipërfaqe, po hidhën katet, po shkohet të çatitë.
“Por, raporti i Standard&Poors konfirmon qëndrueshmëri për Shqipërinë, gjë që nuk ndodh me plot vende të tjera. Ky raport parashikon një rritje ekonomike shqiptare me rreth 4-5%, nëse s’do të kemi një valë tjetër infektimesh, që do të na detyrojë të mbyllemi. Çështja kryesore e një vendi nuk është sa e ka borxhin, por sa fuqi ka ta financojë borxhin.”, u shpreh më tej ai.
Kjo deklaratë e kryeministrit vjen pas tetë vjetësh në pushtet dhe në aspiratë për një mandate të tretë, dhe theksin ende e vë tek rroga minimale që pritet të rritet me një përqindje shumë të vogël.
Nga të dhënat e INSTAT, rreth 30 % e popullsisë paguhen me pagën minimale aktuale në shpifrën e 260 mijë lekeve të vjetra.