Mësimi gjatë këtij viti të pandemisë ka qenë shumë i vështirë për shumë nxënës, ndër ta edhe maturantët që këtë vit do të japin provimet e maturës. Ditën e sotme ministrja e arsimit Evis Kushi, ka mbajtur një interpelancë me maturantët, ku ka zbuluar edhe si po mendohet të jetë struktura e provimeve që nxënësit do të japin në fund të vitit. Ajo ka thënë se po përgatiten tezat dhe në fund do të zgjidhen përfundimtaret. Maturantët do të japin 4 provime, tre të detyruara dhe një me zgje dhje.
“Nga ekspertët është vendosur që këtë vit në provimet e maturës një pjesë e pyetjes të jenë të strukturuara me alternativa dhe një pjesë e tyre të jenë me zhvillim. Ju e dini që në total testi përmban 60 pikë dhe nga këto 60 pikë 20 i takojnë pyetjeve me alternativa dhe 40 i takojnë pyetjeve me zhvillim. Do të ketë gjithsej 3 nivele vështirësie.
Niveli i parë, niveli më i ulët i vështirësi që do të jetë në 40% të testit po kështu niveli i dytë përmban dhe ai 40% të testit, ndërkohë që niveli i tretë më i vështirë do të ketë vetëm 20% të pikëve totale të testit. Janë gjithsej 4 provime. 3 do të jenë provime të detyrueshme dhe janë konkretisht gjuha shqipe dhe letërsia, matematika dhe gjuha e huaj ndërkohë që vetëm një provim do të jetë me zgjedhje.
Provimet e detyruara do të mbështeten në kurrikulën bërthamë ndërkohë që provimet me zgjedhje do të mbështeten edhe në kurrikulën bërthamë dhe atë me zgjedhje”, tha ministrja Kushi.
Ministrja është shprehur gjithashtu, se do punojnë që rezultatet e provimeve të jenë gati deri më 30 qershor. Nxënësit që duan të ikin të studiojnë jashtë do ta kenë diplomën e gjimnazit më 5 korrik dhe pjesa tjetër më 15 korrik.
“Për këtë arsye ne do ti angazhojmë maksimalisht të gjitha stafet tona që diplomat e maturës të shpallen brenda datës 30 Qershor. Ata maturantë që kanë dëshirë të studiojnë jashtë vendit diplomat do të lëshohen më 5 Korrik dhe për gjithë të tjerët data 15 Korrik. Data 15 korrik është data finale që të gjithë maturantët do të marrin diplomat e tyre. Ata që pretendojnë që të studiojnë jashtë shtetit brenda datës 5 Korrik do t’i kenë në duart e tyre”, tha Kushi.