Ministri i Shëndetësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe deklaroi ditën e sotme se nuk dëshiron të spekulojë me datën e saktë se kur do të arrijnë vaksinat në Maqedoni, por tha se kjo do të jetë shumë shpejtë. Gjatë një deklarate për mediat, Filipçe tha se po vazhdojnë kontaktet me Pfizer, me përfaqësitë e tyre në Beograd dhe në Rumani prej ku pritet dokumentet që t’i lejohet Serbisë t’i eksportoj vaksinat në RMV.
“Vaksinimi kundër COVID-19 në vendin tonë do të fillojë me vaksinat kineze për furnizimin e të cilave jemi në fazën finale. Bëhet fjalë për 200 mijë vaksina për të cilat transportin e organizon Ministria e shëndetësisë”, tha Filipçe.
Ndryshe, të parët për vaksinim do të jenë punëtorët shëndetësor ndërsa më pas kategoritë tjera të qytetarëve. Vetëm në 24 orët e fundit janë kryer 2, 291 testime për Covid-19 dhe prej tyre 350 kanë rezultuar pozitivë me koronavirus. Ndërkohë kanë ndërruar jetë edhe 20 pacientë dhe 266 persona janë shëruar.
Rastet e reja janë: 180 në Shkup, 24 Kavadar, Veles 19, Kumanovë dhe Tetovë me nga 13, 12 në Ohër, 8 Gostivar, Strumicë dhe Dellçevë 7, Prilepi, Strugë, koçani, Negotinë dhe Radovish me nga 6 raste, Shtip dhe Demir Kapi me nga 5, Sveti Nikole dhe Kriva Pallankë me nga 3, Manastir, Berovë dhe Demir Hisar me nga 1 dhe Kërçovë, Dibër, Resnjë, Probishtip, Vinicë dhe Kratovë me nga 1 rast.
Që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 91.510 raste me koronavirus, ndërsa 2,893 kanë humbur jetën. Aktualisht numri i rasteve aktivë në është 7,831.