Skip to content
Aktualitet

Pas Vlorës dhe në Pogradec, Covid-19 mbyll gjimnazin, mësues e nxënës të infektuar

· 2 min lexim

Covid 19 mbyll përkohësisht gjimnazin e fshatit Buçimas në Pogradec. Mësohet se shkak është bërë infektimi i pesë mësuesve me virus, përfshi këtu dhe drejtorin e shkollës,  tre nxënës  të tjerë, sekretarja dhe një sanitare.

Ditën e sotme Njësia Vendore e Kujdesit shëndetësor ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka bërë dezinfektimin e ambienteve të gjimnazit dhe ka kryer një sërë testimesh mos të tjërë nxënës apo mësues mund të jenë prekur.

Rihapja e shkollës do të bëhët vetëm kur të dalin përgjigjet e tjera të testimeve, pasi dyshohet se shumë të tjerë mund të jenë të prekur.

Sipas  “Ora News”, burime pranë policisë janë shprehur se mësimi mund të vijohet i kombinuar, duke lënë të kuptohet se do të zhvillohet edhe online. Ata gjithashtu shtuan se e gjitha varet nga ecuria e coronavirusit në këtë vatër të re.

Kujtojmë se disa ditë më parë u mbyll një tjetër shkollë në Vlorë, në të cilën ishin të infektuar pesë mësues.Përsa i përket zhvillimit të mësimit në shkollën jo-publike, ai do të zhvillohet online për 14 ditët e ardhme.

Në ditët në vijim pritet të mësohet nëse mes stafit të shkollës apo nxënësve ka të infektuar të tjerë.

Ndërkohë në vend përsa i përket universiteteve mësimi zhvillohet vetëm online, ndërsa gjimnazistët  paraqiten në ambientet fizike me përjashtim të rasteve ku vërehen infektime.