Skip to content
Të Gjitha

Ligji për tenderat kthehet mbrapsht nga Presidenti Meta: Favorizon kompanitë e pushtetit

· 2 min lexim

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për “Prokurimin Publik”. Sipas kreut të shtetit, ky ligj cenon konkurrencën e lirë, favorizon kompanitë e lidhura me pushtetin dhe shpërdorimin publik.

Sipas tij respektimi i këtyre rregullave do të garantojë efektivitet, efiçiencë dhe mirëpërdorim të këtyre fondeve. Sipas presidentit, ligji i miratuar nga Kuvendi bie ndesh me parimet e Kushtetutës.

“Duke vlerësuar se ky ligj bie ndesh me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, duke krijuar pabarazi në trajtimin e operatorëve ekonomikë, diskriminim të tyre, dhe duke i penguar të ushtrojnë të drejtën për liri të veprimtarisë ekonomike, edhe në raport me mundësinë e hyrjes në marrëdhënie kontraktuale me autoritetet kontraktore, krijon mundësi për shpërdorim të fondeve publike.

Deformimi i konkurrencës shkakton pasoja direkte në cilësinë e mallit/shërbimit të prokuruar, që ka impakt direkt dhe kosto financiare, duke ulur transparencën e administrimit të fondeve publike“, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e Presidentit të Republikës.

Disa arsye që renditen për kthimin e ligjit janë:

-Nuk jepet një përcaktim i qartë i institutit të “rezervimit të së drejtës së pjesëmarrjes”; ashtu si dhe

– nuk përcaktohet një sistem pikëzimi nëpërmjet të cilit do të vihej në zbatim parashikimi ligjor nga ana e autoriteteve dhe enteve kontraktore mbi përzgjedhjen e mundshme të këtyre operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në një procedurë prokurimi. /Gazetareforma.com/