Promovimi i Shqipërisë si destinacion turistik në vende të tjera të botës, duket se ka rizgjuar dhe vetë interesin e shqiptarëve për eksplorimin e pikave turistike ende jo shumë popullore.
Plazhet e virgjëra, kanionet e jashtëzakonshme, kështjellat e kalatë që fshehin histori mijëra vjeçare po tërheqin gjithnjë e më shumë kuriozitetin e turistëve që në shumë raste, mbipopullojnë hapësirat duke e bërë këtë një eksperiencë jo dhe aq të bukur sa ç’mund të kishit shpresuar. Por a duhet patjetër të udhëtojmë për t’i shijuar këto vende?
Falë teknologjisë, jo më! Prej më shumë se një viti, aplikacioni Welcome Albania u ka mundësuar adhuruesve të udhëtimit të shijojnë dhe të eksplorojnë Shqipërinë nga pëllëmba e dorës, vetëm me anë të një aparati celular apo tablet.
Por tashmë, ai do të vijë në një tjetër dimension. Pasi kaloi fazën e parë që ishte një provë si për ideatorët dhe krijuesit e aplikacionit, Welcome Albania do të vijë me një risi të jashtëzakonshme teknologjike, siç është VR (realiteti virtual) që ofron një shkrirje të fizikes me virtualen.
Nëpërmjet Tourmake Professional që ka sjellë në Shqipëri të gjitha pajisjet e fjalës së fundit të teknologjisë, çdokush do të mund të shijojë virtualisht vendet më të bukura të Shqipërisë, por edhe bizneset më elitare të fushës së hoteleri-turizmit dhe jo vetëm, si të ishte aty.
Teknologjia VR, që për herë të parë në Shqipëri u prezantua në netët finale të festivalit “Kënga Magjike 2018”, në të gjithë botën ka ridimensionuar konceptin e udhëtimit, duke bërë të mundur vizitimin e një vendi të largët pa qenë e domosdoshme të dalësh nga shtëpia, duke kursyer jo vetëm para, por edhe kohë!
Të dhënat kanë treguar se VR nuk shërben vetëm si një mënyrë për të shijuar një vend të ri, por edhe për të përzgjedhur më mirë destinacionet drejt të cilëve vendosim të udhëtojmë. Për herë të parë, vizitorët potencialë të Shqipërisë, kanë mundësinë të shohin “nga afër” si duket destinacioni që duan të vizitojnë, hoteli ku duan të pushojnë apo edhe klinika ku duan të trajtohen, përpara se të nisin udhëtimin.
Kështu, falë aksesit të drejtpërdrejtë në Google, Welcome Albania ka dhënë dhe vijon të japë një impakt të jashtëzakonshëm tek vizitorët e huaj, por edhe tek bizneset shqiptare.
Në vetëm një vit, rreth 600 kompani partnere të Welcome Albania kanë marrë më shumë se 60% më shumë shikueshmëri në Google dhe në rrjetet sociale, duke krijuar kështu një mënyrë të jashtëzakonshme promovimi përtej kufijve shqiptarë. Sakaq, vetëm përgjatë muajit janar, aplikacioni ka pasur më shumë se 2.3 milionë vizitorë, të interesuar për Shqipërinë dhe bizneset shqiptare.
Por surprizat e Welcome Albania nuk përfundojnë me kaq. Së shpejti aplikacioni i famshëm do të vijë me një risi fantastike për gjithë përdoruesit e tij. Megjithatë, gjithçka mbetet surprizë dhe së shpejti do të mësojmë më shumë.
Burimi: Iconstyle.al