Jeta e aktorit Xhemil Tagani u shua sot në moshën 75-vjeçare Artisti i Teatrit Kombëtar lindi në Tiranë, më 6 shkurt 1945/
U dallua për zërin e tij karakteristik dhe interpretimin profesional te karaktereve. Diplomohet në vitin 1967 në Shkollën e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu”, dega “Aktrim”. Fillon punë si aktor në 1968 në Teatrit Popullor dhe mbetet pjesë e organikës së këtij institucioni derisa del në pension. Ka interpretuar mjaft role te dyta dhe episodike. U shqua për aftësitë e tij organike për të krijuar karaktere të mëvetësishme, më së shumti të këqyrura nga anët komike e sarkastike të tyre, mbushur me vese, huqe, mangësi fizike e shpirtërore apo me gazmend, hare e shpoti pa të keq. Veti të tilla u vunë re në rolet që luajti në shfaqjet “Fytyra e dytë”, “Nën dritat e skenës”, “Duke u gdhirë viti 145, “Monserrati”. “Komunistët”, “Shtëpia me dy porta” e të tjera shfaqje. Për disa nga rolet e tij më të arrirë përmendim: Samiu tek “Kështu të dua”, Selimi tek “Bashkë me Agimin”, Peç Mblloçi tek “Lumi i vdekur”, Tushka tek “Një nuse për Stasin”, Thomai tek “Nën dritat e skenës” , Alqi tek “Studentja e vitit të fundit”, Reizi tek “Duke u gdhirë viti 1945”, Agroni tek “Shokët”, Uçi tek “I pazëvendësueshmi”. etj.
Jo rrallëherë aktrimi i tij merrte ngjyrimet e groteskut, me tejzmadhimin e veçorive komike të personazheve, veçse pa humbur vërtetësinë dhe natyrshmërinë e të shprehurit të tyre. Përdorte me hijeshi dhe efekt zhargonin tiranas të të folurit, sikundër u vu re dukshëm në mishërimin që i bëri rolit të Qazim Mulletit në komedinë “Prefekti” të B. Levonjës (1974) që mbetet nga realizimet më të mira të tij; ose shfrytëzonte në mënyrë të frytshme kundërshtitë komike që ofronte situata në raportet midis karakterit dhe veprimit të tij si me rolin e Jorgos te drama “Doktori pacient” të R. Pulahës. Xhemil Tagani ka interpretuar mbi 70 role në teatër dhe një numër të konsiderueshëm në kinematografi. Spikati veçanërisht në rolin e priftit te “Përralle nga e kaluara” (1987) si dhe me rolin e beut te “Toke e përgjakur” (1976). Pas vitit 1992 Xhemil Tagani del në pension.
Ai u shkëput nga Teatri, duke e mbyllur karrierën e tij mbi tre dekada në skenën e Teatrit Popullor.
Ndërsa personazhet e luajtura në filma janë: “Përrallë nga e kaluara” (1987)…… Sotiri, Prifti; “Gurët e shtëpisë sime” (1985)…….Bilbili; “Taulanti kërkon një motër” (1984)…Shoferi; “Fushë e blertë fushë e kuqe” (1984)… Kafexhiu; “Tokë e përgjakur” (1976)… Beu; “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967); “Kush është vrasësi” (1989)….Lytfi Zhurba; “Hije që mbeten pas” (1985)….Lamja, etj.
/Gazetareforma.com/