Komisioneri i BE-së, Borrell akuzon Rusinë për përhapjen e dezinformacionit mbi vaksinat perëndimore.
Diplomati i lartë i Bashkimit Evropian tha të hënën se media publike ruse ka përhapur informacion të rremë mbi vaksinat evropiane dhe amerikane që luftojnë COVID-19 në ato vende ku Moska dëshiron të shesë vaksinën e saj.
“Zhvilluesit e vaksinave perëndimore po tallen hapur prej medias shumëgjuhëshe të kontrolluar nga shteti rus, gjë që ka çuar në disa raste në pretendime absurde se vaksinat do t’i kthejnë njerëzit në majmunë”, shkruante Joseph Borrell në një postim në blog.
Moska vazhdimisht i ka mohuar këto akuza dhe pretendon se Sputnik V është në shënjestër të një fushate dezinformimi të mbështetur nga të huajt.
Fondi Rus i Investimeve Direkte (RDIF), i cili është përgjegjës për marketingun e vaksinës jashtë vendit, nuk iu përgjigj kërkesës për koment mbi deklaratën e zotit Borrell. Ministria e Shëndetësisë gjithashtu nuk ka pranuar deri tani të komentojë. Roskomnadzor, mbikëqyrësi i medias ruse, nuk i është përgjigjur një kërkese për koment.
Kur prodhuesi i ilaçeve AstraZeneca, i cili po punon me Universitetin e Oksfordit për prodhimin e një vaksine kundër COVID-19-s, ndaloi testet klinike në shtator për shkak të një sëmundjeje të pashpjegueshme që u vu re tek një vullnetar, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se Sputnik V ishte më i besueshëm, ndërsa vaksina kandidate britanike ishte një “vaksinë për majmunë”, siç tha ai.
Javën e kaluar Rusia dërgoi grupin e saj të parë të vaksinave kundër koronavirusit në Argjentinë si pjesë e një marrëveshjeje prej 10 milionë dozash. Ajo ka nënshkruar marrëveshje edhe me një numër vendesh të tjera të Amerikës Latine dhe Azisë. Të dyja dozat e vaksinës ruse kushtojnë më pak se 20 dollarë për person.
/Gazetareforma.com/