Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar pas dekretimit të presidentit Meta të anëtares së shtatë të Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtjas.
Kim ka përshëndetur vendimin e Metës për dekretimin me urgjencë të emrit të Sonila Bejtjas si anëtare Gjykatës Kushtetuese, por ka shtuar se nuk do të ketë qetësi dhe pushim deri kur ky institucion të plotësohet me 9 anëtarë të zgjedhur.
Kujtojmë se mekanizmi i plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese, filloi të funksionojë vetëm pas ultimatumit të dhënë nga Ambasada Amerikane për formimin e Gjykatës së re Kushtetuese brenda Vitit të Ri me çdo kusht.
Postimi i Yuri Kim:
“Faleminderit Presidentit Ilir Meta për dekretimin këtë mbrëmje të gjyqtarit të 7-të të Gjykatës Kushtetuese. Duke vepruar së bashku me urgjencë në përgjigje të drejtpërdrejtë të opinionit të Venecias, kushtit të BE dhe kërkesës së shqiptarëve. Presidenca, Parlamenti dhe KED kanë bërë gjykatën Kushtetuese funksionale para datës 12/31.
Presidenti, parlamenti dhe KED, meritojnë vlerësim për arritjen e kuorumit +1, por nuk mund të ketë pushim derisa të plotësohen të 9-ta vendet. Puna duhet të vazhdojë në Vitin e Ri.
Ne i nxisim kandidatët e kualifikuar t’i përgjigjen thirrjes së detyrës në mënyrë që njerëzit e Shqipërisë të kenë drejtësi të vërtetë, siç i përshtatet Aleatit të NATO-s dhe aspirantit të BE-së”, e ka mbyllur postimin ambasadorja Yuri Kim./Gazetareforma.com/