Raporti i fundit i INSTAT, për shkallën e punësimit të popullsisë në moshën e fuqisë punëtore 15-64 vjeç në tremujorin e tretë të vitit 2020, ka treguar se punësimi në këtë kategori është 61,3 %.
Sipas raportit të tremujorit të tretë të këtij viti, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,6 %, e cila krahasuar me tremujorin e vitit 2019-të, vihet re një rritje e lehtë prej 0.2% të rritjes së papunësisë për moshat e forcës së punës.
“Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,3 %.
Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2019 në tremujorin e tretë të vitit 2020, është -1,2 %. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është -3,7 % në sektorin e bujqësisë, -0,2 % në sektorin e industrisë dhe 0,6 % në sektorin e shërbimeve.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2020, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 2,8 %. Punësimi mbeti në të njëjtin nivel në sektorin e bujqësisë dhe pësoi rritje në sektorin e industrisë me 5,6 % dhe atë të shërbimeve me 3,8 %”, thuhet në raport.
Ndërkohë në raport, edhe nëpërmjet grafikëve, shpjegohet që shkalla e punësimit për burrat është 68,7 %, ndërsa për gratë 54,2 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e punësimit për burrat është rritur me 0,2 pikë përqindje ndërsa për gratë është ulur me 0,5 pikë përqindje. Po ashtu shkalla e punësimit të të rinjve është 42,3 %. Edhe për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2020, shkalla e punësimit është 71,1 %.
Papunësia
Në tremujorin e tretë 2020, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,6 %.
Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,2 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,3 pikë përqindje.
Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,4 % dhe për gratë 11,8 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e papunësisë për burrat është pothuajse në të njëjtin nivel edhe pse ka një rritje të lehtë dhe po ashtu edhe për gratë papunësia është rritur me 0,4 pikë përqindje.
Qytetet më të goditura nga Covid-19, me rritjen më të madhe të papunësisë!
Qarku i Shkodrës gjatë këtij tremujori të tretë të 2020-tës, rezulton që të jetë më i godituri nga pandemia Covid-19 si në numrin e lartë të infektimeve, po ashtu edhe të vdekjeve nga koronmavirusi.
Edhe Gjirokastra dhe Dibra shënuan një rënie të normës së papunësisë në raport me një vit më parë, përkatësisht me 3 dhe 1.9 pikë për qindje.
Më shumë se sa përmirësimi i tregut të punës në këto qarqe ka ndikuar edhe tkurrja e popullsisë për shkak të emigracionit të lartë në Dibër, sidomos të të rinjve, si dhe plakjes së popullsisë në Gjirokastër.
Me tej normat e papunësisë në tremujorin e tretë shënuan rënie vjetore edhe në qarkun e Tiranës me 1.7pikë përqindje, Durrësit 1.5 pikë përqindje, Fierit 1.3pikë përqindje dhe Kukësit me 1.3pikë përqindje.
Qarku me normën më të madhe të papunësisë në vend në fund të tremujorit të tretë vijoi të ishte Lezha, me një normë prej 19.7%.
Në vend të dytë ka kaluar Vlora (ishte e treta një vit më parë, pas Tiranës), me 15%, ndërsa kërcimin më të madh e ka bërë Shkodra, që ka kaluar në qarkun e tretë me papunësinë më të lartë, nga i teti që ishte një vit më parë, ndërsa Tirana zbriti e pesta.
Shkodra dhe Vlora, që panë rritjen më të lartë të papunësisë janë ato që kanë raportuar dhe më shumë mbyllje të bizneseve.
Sipas të dhënave të tjera të Tatimeve, në Vlorë mbylljet e subjekteve u dyfishuan, gjatë periudhës 1 maj- 31 tetor (në raport me të njëjtën periudhë 2019) duke i kaluar 520 biznese, që kanë pushuar së ushtruari aktivitetin e tyre. Edhe në Shkodër, ka 65% më shumë subjekte të kaluara në status pasiv, duke arritur në 414 subjekte./Gazetareforma.com/