SPAK heton pasuritë e trafikantëve të kokainës të kapur në Belgjikë, në listë edhe “Vila aeroport”
Prokuroria e posaçme SPAK kalon në sitë pasuritë e personave të arrestuar gjatë operacionit “Atos” në Belgjikë për trafikimin e 1.2 ton kokaine nga Paraguai në Holandë dhe Belgjikë. Janë kontrolluar edhe familjarët e tyre.
SPAK ka identifikuar pasuri në emër të Ramazan Rrajës, i arrestuar si pjesë e grupit kriminal rezulton të jetë një automjet dhe një biznes. Kompania me emrin “Raja-2013” në Nikël daton nga viti 2013, objekti i saj është “…importimi dhe tregtimi me shumicë e pakicë i produkteve të industrisë kimike për mbrojtjen e drurëve, stazhionimin e lëndës drusore…”.
Ky biznes rezulton i pezulluar që prej muajit Korrik 2016, megjithëse në vitet më pas ka vijuar të dorëzojë bilance. Më tepër pasuri janë të regjistruara në emër të babait të Ramazanit, Xhelal Rraja, ku automjete, pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe biznese janë në emër të tij. Një kompani me emrin “Rraja” është në emër të Xhelal Rraja, dhe rezulton e regjistruar si biznes qysh prej vitit 2000.
Ndërkohë një tjetër biznes në emër të Xhelal Rrajës është dhe “Vila Aeroport” që ndodhet në Rinas. Kjo kompani zotërohet 100 për qind nga Xhelal Rraja dhe është regjistruar si biznes qysh prej nëntorit 2011, ku ka si objekt: “…sigurimin e objekteve publike dhe private në pronësi ose në përdorim të personave fizik e juridikë, Sigurimin dhe mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të personave fizikë, shtetas shqiptar dhe të huaj…”.
Në emër të Xhelal Rrajës, janë dhe dy pasuri të tjera që kanë lidhje me hotel, bar-restorant dhe ambalazhimin e valixheve për udhëtarët në Rinas. Verifikimet janë kryer dhe për Fioralb Rrajën, ku përgjatë një muaj hetime janë identifikuar pasuri të ndryshme si automjete dhe toka në emër të familjarëve të tij.
Vetë Fioralbi ka regjistruar një biznes mobilerie në zonën e Niklës, aktivitet tregtar ky i hapur qysh prej shkurtit 2016. Në skaner të hetuesve janë dhe personat e tjerë që janë arrestuar në Belgjikë, ku në emër të Bledar Pepajt, zotërohet një biznes. Nga operacioni i fundit janë arrestuar Musa Gjikola, Genti Balliu alias Flamur Balliu, Ramazan Rraja, Fioralb Rraja, Bledar Pepaj, Fatmir Xheçuka.
/Gazetareforma.com/