Duke filluar nga sot, mund të themi se zyrtarisht Shqipëria ka më në fund pas 3 vitesh bllokim, një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Presidenti Meta ka emëruar ditën e sotme gjyqtarin e gjashtë, Përparim Kalon, i cili kompleton numrin e duhur për kuorumin i cili mund të ndërmarrë vendime.
Deputetja Vasilika Hysi, theksoi se edhe pse nuk është plotësuar me 9 anëtarë, tashmë do të nisë shqyrtimi i dosjeve që kanë qenë në pritje prej një kohe të gjatë.
“Ishte një nevojë jetike për qytetarët. Për të gjykuar në seancë publike duhet të jenë 2/3 e anëtarëve. Për t’u plotësuar nevojiten edhe 3 anëtarë. Tashmë, për shumicën e çështjeve do të fillojë shqyrtimi. Tashmë kemi një mekanizëm më shumë.
Gjykata duhet të jetë me 9 gjyqtarë, por tashmë edhe me 6 anëtarë është funksionale. Nga java tjetër do të kemi edhe fillim të shqyrtimeve të seancave publike. Tashmë shumë dosje që kanë mbetur aty do të fillojnë të shqyrtohen”, tha deputetja Hysi.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme KED dërgoi në Presidencë dy emrat e kandidatëve për plotësimin e vakancës së gjashtë për krijimin e kuorumit prej 6 gjyqtarësh në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka vonuar edhe përgjigjia nga Presidenca, ku Presidenti Meta ka emëruar gjyqtarin e gjashtë, Përparim Kalon.
Kësisoj pas 3 vitesh pa Gjykata funksionale, tashmë është formuar kuorumi për vendimet në Gjykatën e re Kushtetuese.
Gjyqtarët në këtë gjykatë do të kenë një mandate 9 vjeçar. E gjithë ky proces u nxit më së shumti nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila gjatë gjithë kohës u ka bërë presion partive politike dhe aktorëve politikë që të nxitojnë dhe të krijojnë Gjykatën Kushtetuese përpara 31 dhetorit të këtij viti./Gazetareforma.com/