Demokratët deklarojnë se me Projektbuxhetin e vitit 2021, Erion Veliaj llogaritet të marrë nga xhepat e qytetarëve dhe bizneseve të dërrmuara nga kriza, rreth 120 milionë euro. PD e ka akuzuar sot Bashkinë e Tiranës se ka vendosur më shumë taksa për qytetarët dhe bizneset në vitin e ardhshëm. Mateo Spaho ka dalë para një biznesi që jepet me qira duke llogaritur konkretisht taksat që merr bashkia, që sipas PD janë taksat më të larta në vend.
Ai tha më tej se për vitin 2019, pa llogaritur efektin e pandemisë, në Tiranë ka 800 biznese më pak, sesa kur Veliaj mori detyrën.
Deklarata e PD-së
Prej 5 vjetësh, banorët e kryqytetit paguajnë taksat më të larta në vend, por nuk marrim pothuajse asgjë mbrapasht si investime për për përmirësimin e cilësisë së jetës.
Edhe për vitin e ardhshëm, Erion Veliaj ka ndjekur të njëjtën skemë. Më shumë taksa për qytetarët dhe bizneset, më pak përfitime për ta.
Të flasim më konkretisht.
Të gjithë e kemi provuar në lëkurë sa i vështirë ishte ky vit për secilin prej nesh. Me mijëra humbën punën, me mijëra ulën qepenat, me mijëra u zhytën në borxhe. Por Eriin Beliaj vazhdoi të mbysë me taksa dhe gjitha bizneset dhe qytetarët.
Këtë vit ka marrë nga xhepat tanë 113 milionë euro.
A kemi ne shkolla dhe kopshte më të mira? Jo! Madje kemi më pak.
Kemi ujë të pijshëm 24 orë? Nuk kemi.
Kemi ne shërbim publik urban më të mirë? Askush nuk e thotë këtë.
A ka në Tiranë më shumë gjelbërim? Përkundrazi. Ka më shumë beton.
A është Tirana më e pastër me kaq shumë taksa sa na merr Erion Beliaj ne? Aspak më e pastër. Inceneratori është më i pasur.
A është shtruar ndonjë rrugë e re që i shërben gjithë qytetit apo të jenë mbyllur disa rrugë në lagjet e Tiranës? Mjafton të dalësh me një kamera për të parë se infrastruktura është skandaloze.
Punë nuk ka bërë, por Erion na ka marrë këtë vit pandemie 113 milionë euro.
Për vitin e ardhshëm, pritet të na marrë edhe më shumë, pa na kthyer ato në investimet dhe shërbimet e duhura. Edhe ato që llogarit të bëjë, i bën shumë shtrenjtë, duke na vjedhur.
Me Projektbuxhetin e vitit 2021 Erion Veliaj llogaritet të marrë nga xhepat tuaj, të dashur qytetarë dhe biznese të dërrmuar nga kriza, rreth 120 milionë euro.
Më konkretisht, të shohim se cili është plani i Erion Veliajt për rritjen e buxhetit nga taksat e larta.
11 milionë euro do t’u merren më shumë bizneseve dhe qytetarëve për tarifën e pastrimit. A do të jenë lagjet e Tiranës më të pastra? Jo! Erion Veliaj do të bëjë më të pasur Incineratorin e Tiranës me djersën e qytetarëve. Tarifa e padtrimit është rritur për të gjithë që nga qershori i kaluar, pasi incineratori që nuk ekziston u ankua për të ardhura të pakta. Për Erion Veliaj nuk ka problem që jemi në kohë krize. Megjithëse bizneset kanë nevojë për mbështetje, ai i çon paratë e marra nga tarifa e rritur e pastrimit tek incineratori.
5 milionë euro më shumë do të detyrohen bizneset të paguajnë për taksën mbi pasurinë e paluajtshme. Megjithëse dyqanet i kanë pothuajse bosh, bashkia nuk parashikon asnjë ndihme, por vetëm presion për t’u marrë sa më shumë para nga xhepat.
Edhe 5 milionë euro të tjera do të marrë Erion Veliaj nga gjobat. Ky xhep i Erion Veliakt mbushet kryesisht me gjobat për parkimin. Tirana është sot qyteti më i pajetueshëm në lidhje me parkimet. Edhe ato pak që ishin, janë zhdukur nga bashkia pa pyetur askënd. Ka dëmtuar bizneset e vogla, ka dëmtuar qytetarët, ka shtuar trafikun në qytet, ndërsa për vete ka shtuar 5 milionë euro në xhep, pa bërë asgjë.
/Gazetareforma.com/