Një lajm i bujshëm ka ardhur nga matanë bjeshkës, në Dardani, ku mediat kosovare kanë raportuar se Gjykata Kushtetuese në vend ka nxjerrë aktgjykimin për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me votën e deputetit, Etem Arifi, e cila ishte vendimtare për krijimin e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.
Sipas mediave kosovare, Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 40 ditëve, pasi Gjykata Kushtetuese ka kontstatuar që vota e deputetit, Etem Arifi, pro krijimit të Qeverisë Hoti, ka qenë e pavlefshme.
LDK e krijoi qeverinë e re pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Albin Kurtit, duke marrë në qeverinë e re partitë AAK dhe NISMA.
Vota e deputetit Etem Arifi është çuar në Gjykatën Kushtetuese nga Vetëvendosja, pasi sipas tyre vota e tij s’kishte pasur legjitimitet në momentin kur kishte votuar, meqë ishte dënuar nga Gjykata me vendim të prerë.
Deputeti Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione.Ndonëse i dënuar, Arifi kishte votuar pro formimit të qeverisë Hoti në seancën e 3 qershorit./Gazetareforma.com/