Në 24 orët e fundit në vend janë kryer 591 testime për koronavirus dhe prej tyre 129 kanë rezultaur pozitivë, ose 22 per qind e testeve të kryera. Po ashtu në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 22 pacientë te diagnostikuar me COVID, ndërsa janë shëruar 1.122 persona.
Vendi aktualisht ka 20.965 raste aktive me Covid-19. Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 78.434 raste, prej të cilëve 55.155 janë rikuperuar, kurse 2.314 pacientë kanë humbur betejën me sëmundjen e Covid-19.
Duke filluar nga 18 dhjetori, në Maqedoninë e Veriut hyjnë në fuqi masat e reja kufizuese, që shkurtojnë orarin e punës së restoranteve dhe kafeneve, në përpjekje të ndalimit të përhapjes së koronavirusit.
Deri më 20 janar restorantet dhe të gjitha objektet gastronomike do të mbyllen në orën 6 të mbrëmjes, ndërsa ato brenda hoteleve do të mund t’u shërbejnë klientëve të tyre deri në orën 9. Masa të tjera kufizuese përfshijnë ndalimin e grumbullimit të njerëzve në vendet publike, si sheshe dhe parqe.
Autoritetet shëndetësore dhe ato qeveritare bëjnë thirrje që festat e Vitit të Ri dhe Krishtlindjes të kremtohen në rrethin familjar.